Kremlini për deklaratën e Trampit: I gatshëm për dialog me respekt të ndërsjellë
Rusia është e gatshme për një dialog të barabartë...

Rusia është e gatshme për një dialog të barabartë, një dialog me respekt të ndërsjellë, tha Kremlini, pasi Donald Trampi kërcënoi dje Moskën me tarifa, taksa dhe sanksione, nëse nuk i jep fund luftës në Ukrainë.
“Jemi të përgatitur për dialog, në mandatin e parë Trampi ishte kryetar që më së shpeshti përdorte metodat e sanksionimit, mbetemi të përgatitur për dialog të barabartë dhe respekt të ndërsjellë.”, - deklaroi zëdhënësi i Kremlinit, Dmitrij Peskov.
Ndërkohë në Evropë do të rritet shqetësimi se kryetari i ShBA-së Tramp, do t’i përfundojë shumë shpejtë negociatat me Putinin me kushte që janë të pafavorshme për Ukrainën.
Ndërkohë sekretari gjeneral, Rute, kërkoi rritje të përkrahjes për Kievin, duke thënë se mbështetësit perëndimorë të Ukrainës duhet “të rrisin, e jo ta zvogëlojnë mbështetjen”, që janë duke ia dhënë asaj, pothuajse tre vjet pas fillimit të pushtimit të plotë nga Rusia.
“Ne duhet ta ndryshojmë trajektoren e luftës. Perëndimi nuk mund të lejojë që në shekullin XXI një shtet ta pushtojë një shtet tjetër dhe të përpiqet ta kolonizojë atë. Nëse kemi marrëveshje joadekuate, atëherë kjo do të thoshte se do të shohim presidentin rus se si shoqërohet me liderët e Koresë Veriore, Iranit dhe Kinës.”, - theksoi sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rute.
Ndërkohë Rojters ka raportuar më parë se Putini është i gatshëm të diskutojë opsione për një armëpushim me Trampin, por se fitimet territoriale të Rusisë në Ukrainë duhet të pranohen dhe Ukraina duhet të heqë dorë nga përpjekja për t’u bashkuar me NATO-n e udhëhequr nga ShBA-ja.
Në javët e fundit, këshilltarët e Trampit kanë tërhequr deklaratat e tij të mëparshme se lufta trevjeçare mund të zgjidhej për një ditë. (Flutura Latifi, TVM2)
