Falja e organizatorëve të 27 prillit, VLEN: Instalimet e BDI-së dhanë mendim pozitiv
Koalicioni VLEN, me kritika...

Koalicioni VLEN, me kritika ndaj amnistisë së organizatorëve të 27 prillit. Ata për vendimin e tillë fajësojnë gjyqësorin me njerëzit, sipas tyre të instaluar nga BDI sikurse Islam Abazi në prokurorinë për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit.
“Prokuroria abaziane, e udhëhequr nga Islam Abazi i BDI-së non grata, ka dhënë mendim pozitiv për amnistimin e organizatorëve të 27 prillit. E njëjta prokurori, pa asnjë përgjegjësi, më parë vendosi masa lehtësuese për të shpëtuar Ixhet Memetin dhe gjykatësin, Naqe Gjeorgjiev. A është kjo drejtësia që shqiptarët meritojnë? Pyesim se kujt po i shërbejnë njerëzit e instaluar në gjykata e prokurori nga BDI non grata!?”, thuhet në kumtesën e VLEN-it.
ASh-ja e Selës adreson kritika për padrejtësi
Nuk ka munguar reagimi i ASh-së së Selës, që konsiderojnë se falja e organizatorëve të 27 prillit është padrejtësi në thelb, me faj të pushtetit aktual.
“Vendimi i sotëm varros drejtësinë, rrezikon të ardhmen evropiane të vendit dhe cenon marrëdhëniet ndëretnike. Maqedonia e Veriut përfundimisht rikthehet në vitet e 90-ta, ndërsa e gjithë kjo ndodh falë vasalitetit të disa shqiptarëve.”, thuhet në reagimin e ASh-së së Zijadin Selës.
Partia e Selës vlerëson se padrejtësia shtrihet në baza etnike, duke liruar maqedonas që shkelin Kushtetutën, ndërkaq dënuan shqiptarët, madje edhe kur festojnë duke iu referuar ngjarjeve të 28 nëntorit. (Meral Ismaili, TVM2)
