Maqedoni
Falja e organizatorëve të 27 prillit, Mickoski: S’njoh gjykatësin e lëndës
24.01.2025 15:15
Kryeministri Hristijan Mickoski distancohet nga pretendimet se është ushtruar trysni politike për amnistinë e organizatorëve të ngjarjeve të 27 prillit në Kuvend....

Kryeministri Hristijan Mickoski distancohet nga pretendimet se është ushtruar trysni politike për amnistinë e organizatorëve të ngjarjeve të 27 prillit në Kuvend. Mickoski thotë se as që njeh gjykatësin e lëndës, por drejton gishtin kah montuesit, sipas tij të këtij procesi politik. Konsideron se ata duhet të japin llogari pasi sipas tij, përderisa nuk ka organizatorë, atëherë nuk mund të ketë as terroristë të ngjarjes.
“Të përgjigjen të gjithë ata që ushtronin trysni që nëpërmjet një procesi të montuar politik sot njerëz të qëndrojnë në burg për shtatë tetë vite për terrorizëm. Askush nga ata nuk thotë që nuk ka gabuar, por assesi nuk janë terroristë, tanimë kur është e qartë se nuk ka organizatorë, unë nuk e di si mund të ketë terroristë.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.
VLEN: Instalimet e BDI-së kundër Selës
Nga koalicioni VLEN thonë se është shumë e ulët të përdoren ngjarjet e dhimbshme për përfitime politike. Konsiderojnë se BDI këtë e bën nëpërmjet instalimeve në gjykata, në dëm të Zijadin Selës, i cili ishte ndër deputetët më të lënduar në Kuvend në ngjarjet e para tetë.
“Prokuroria abaziane e udhëhequr nga Islam Abazi ka dhënë mendim pozitiv për amnistimin e organizatorëve të 27 prillit. Tani kur i gjithë opinioni e di se pikërisht kjo prokurori ka dhënë pëlqimin për amnistimin e tyre, pyesim patericën e Ali Ahmetit, Zijadin Selën, a do të vazhdojë akoma të shërbejë në të ashtuquajturin Front Evropian!?”, - theksoi zëdhënësi i VLEN-it, Driton Sulejmani.
Nga ASh-ja, krahu i Zijadin Selës janë shprehur se falja e organizatorëve të 27 prillit është padrejtësi në thelb, me faj të pushtetit aktual. Sipas tyre, me vendime të tilla gjyqësore varroset drejtësia në vend, rrezikohet e ardhmja evropiane, si dhe cenohen marrëdhëniet ndëretnike, pasi gjykojnë se vendimi është i prirë në baza etnike.
MERAL ISMAILI
