Pacientët onkologjikë, në pritje të ilaçeve

24.01.2025 15:36

Numri i pacientëve onkologjikë po rritet...

Numri i pacientëve onkologjikë po rritet, thonë nga Klinika Universitare për Radioterapi dhe Onkologji, duke potencuar se nuk mund të përcaktojnë paraprakisht se sa do të jetë konsumi i barnave.

Ata njëherit theksojnë se janë në dispozicion të Fondit të Sigurimit Shëndetësor për të krijuar një regjistër të terapisë biologjike në mënyrë që përdorimi i saj të bëhet transparent.

Sqarimi i klinikës vjen si përgjigje ndaj deklaratës së djeshme të drejtorit të Fondit për Sigurim Shëndetësor, Klekovski, se klinika refuzon të krijojë regjistër të terapisë së nevojshme biologjike. 

“Bordi i ekspertëve të Klinikës Universitare për Radioterapi dhe Onkologji është i mendimit se regjistri i kancerit do të mbetet jofunksional deri në sigurimin e personelit adekuat, një departament për përditësimin e vazhdueshëm të të dhënave, duke pasur parasysh ngarkesën në këtë segment dhe mbingarkimin e stafit ekzistues të klinikës, që pavarësisht mungesave me të cilat përballemi, ai ofron përpjekje mbinjerëzore për të trajtuar dhe kujdesur për pacientët tanë.”, thonë nga Klinika Universitare për Radioterapi dhe Onkologji.

Propozimet e Klinikës Universitare për Radioterapi dhe Onkologji për të parandaluar përsëritjen e krizës me mungesën e barnave i drejtohen Fondit të Sigurimit Shëndetësor dhe Ministrisë së Shëndetësisë.

Apelojnë që të krijohet një tender për barna sipas nevojave reale të klinikave dhe reparteve onkologjike, në vend të blerjes së barnave që janë mbi 20 vjeç dhe për të cilat tashmë ka një zëvendësim inovativ dhe modern, ndërsa në listën pozitive të vendosen barnat gjenerike ose më të vjetra.

Institucionet fajësojnë njëra-tjetrën për mungesën

Derisa institucionet hedhin përgjegjësinë te njëra-tjera për mungesën e barnave, pacientët onkologjikë mbeten me shpresë për zgjidhje të problemit.                   

“Isha dje, nuk ka prej barnave që unë i marr, më dhanë tjera, është katastrofale. Po presim, do të vdesim.”, - tha një pacient.

“Ja, po presim për djalin. Mjeku na thotë prisni pak, prisni pas pak, edhe akoma po presim.”, - tha një qytetar.

“Shumë vështirë, megjithatë do t’i marrin besoj barnat. Unë për vete e kam terapinë time dhe po e marr, nuk kam asnjë lloj problemi.”, - u shpreh një pacient.

Në përgjigje të krizës së mungesës së barnave, pacientët me kancer metastatik do të trajtohen me dy medikamente biologjike të donuara që aktualisht nuk gjenden në Onkologji dhe pjesa tjetër do të blihet përmes marrëveshjeve aneks me prodhuesin. (Belinda Koka – Ademi, TVM2)