Dënimi i 13 shtetasve të huaj nga Beogradi, reagime në Preshevë, Shqipëri dhe BE

24.01.2025 17:35

Serbia ka dëbuar 13 shtetas të huaj...

Serbia ka dëbuar 13 shtetas të huaj, pjesëmarrës në punëtorinë e organizatave joqeveritare të organizuar nga Fondacioni “Erste”, me pjesëmarrës nga nëntë shtete. Autoritetet në Beograd i kanë ndaluar dhe më pas dëbuar ata në natën mes 21 dhe 22 janarit, me vlerësimin se ata paraqisnin “kërcënim për sigurinë” pa dhënë më shumë detaje.

Në mesin e të dëbuarve ishin edhe dy shtetas të Shqipërisë.

Nga Fondacioni “Erste”, kanë thënë se as ata, as Akademia për Organizatat Joqeveritare e Universitetit të Vjenës për Ekonomi dhe Biznes nuk janë informuar për arsyet e dëbimit.

“Thellësisht na vjen keq që pjesëmarrësit e punëtorive tona u desh të kalonin nëpër një përvojë të tillë dhe ritheksojmë përkushtimin tonë ndaj shoqërisë civile në Evropën Qendrore dhe Lindore.”, thuhet në njoftimin e Fondacionit “Erste”, duke shtuar se programet e tyre organizohen që nga viti 2013.

Lidhur me këtë ka reaguar kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, e cila po ashtu dënon muralin në një qytet të Serbisë për një kriminel të luftës në Kosovë.

“Në Beograd, dy shtetas shqiptarë u ndaluan dhe u dëbuan nga Serbia vetëm pse morën pjesë në një seminar, duke dëshmuar edhe një herë se liria e lëvizjes mbetet një ëndërr e parealizuar për fqinjët e Serbisë. Ky veprim tregon fytyrën e vërtetë të një regjimi që në njërën anë pretendon të ndjekë rrugën drejt BE-së, ndërsa në anën tjetër përdor politika diskriminuese ndaj shqiptarëve. Ndërkohë, në një tjetër episod tronditës, qyteti i Quprisë ka shpallur konkurs për një mural kushtuar Nebojsha Pavkoviqit, kriminelit të luftës të dënuar nga Tribunali i Hagës për krime në Kosovë. Si shumë qytete të tjera në Serbi, edhe ky rast tregon glorifikimin e kriminelëve të luftës dhe mohimin e dhimbjes së viktimave të viteve '90.”, thuhet në reagimin e kryetares së Preshevës, Ardita Sinani.

Reagim edhe nga BE-ja dhe Shqipëria. Bashkimi Evropian ka shprehur shqetësim për këtë ngjarje, duke e ftuar Serbinë që të respektojë të drejtat e njeriut, sipas standardeve evropiane dhe ndërkombëtare. Ministria e Jashtme e Shqipërisë ka ftuar në bisedë ambasadorin e Serbisë në Tiranë, Sllobodan Vukçeviq, të cilit i është shprehur shqetësimi serioz për dëbimin e dy shtetasve të Shqipërisë. (Gyltene Sinani, TVM2)