MPB, 4 të arrestuar për organizatë terroriste

24.01.2025 19:59

Katër persona të dyshuar për krijimin e organizatës terroriste...

Katër persona të dyshuar për krijimin e organizatës terroriste janë arrestuar dhe ndaj tyre është ngritur kallëzim penal.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme bëjnë të ditur se janë arrestuar katër persona, ndërsa janë gjetur dhe konfiskuar një pushkë automatike, një pistoletë, material propagandistik, aparate telefonike, pajisje kompjuterike dhe sende të tjera.

Ky është rezultat i aksionit policor të zhvilluar në bashkëpunim me Prokurorinë, në pesë lokacione në Shkup dhe Gostivar, me qëllim të shkatërrimit të terrorizmit. “Synimi i anëtarëve të celulës terroriste ishte kryerja e aktit terrorist kundër objektivave civile ose të ashtuquajtura objektiva të buta, gjegjësisht objekteve publike në vend, me qëllim të krijimit të ndjenjës së pasigurisë ose frikës tek qytetarët. Për të arritur qëllimin e tij, i akuzuari i parë ka krijuar disa grupe në rrjetin social Telegram, në të cilat shpërndante materiale propagandistike të marrë dhe të përkthyer më parë të ISIS-it duke rekrutuar anëtarë të ri”, njoftojnë nga Ministria e Brendshme.

Me kërkesë të Prokurorisë, gjykata atyre u shqiptoi masë paraburgimi prej 30 ditësh.