Gjykata Themelore në Strugë, procese gjyqësore për 7 lëndë ndaj Ramiz Merkos
Në Gjykatën Themelore të Strugës...

Në Gjykatën Themelore të Strugës kanë vazhduar proceset gjyqësore për shtatë lëndë, lidhur me akuzat ndaj kryetarit të Strugës, Ramiz Merko.
Pesë nga akuzat kanë të bëjnë me emërimin e drejtorëve në disa shkolla fillore në fshatrat: Podgorcë, Labunishtë, Radolishtë dhe Veleshtë.
Sipas akuzës, për drejtorë në këto shkolla ishin emëruar persona që nuk i plotësonin kushtet. Merko tashmë është deklaruar se nuk ndihet fajtor për veprën penale për të cilën akuzohet.
Në cilësinë e dëshmitarit, ish-ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri, tha se nuk kishte njohuri se emërimet e drejtorëve ishin bërë në mënyrë të kundërligjshme, pasi nuk kishte marrë njoftime për diçka të tillë.
Merko përballet me akuzë edhe për blerjen e veturës Audi A6 nga ana e komunës dhe me vendosjen e një pllake para komunës, veprim ky që sipas akuzës ka nxitur urrejtje ndëretnike.
Procesi gjyqësor për rastin e blerjes së veturës kthehet nga fillimi, për shkak të ndërrimit të gjykatësit.
