Maqedoni
Strugë, qytetarët i tremben varfërisë
25.01.2025 15:04
Ndryshimi i çmimeve të produkteve ushqimore ka shkaktuar një zhgënjim të madh...

Ndryshimi i çmimeve të produkteve ushqimore ka shkaktuar një zhgënjim të madh tek qytetarët e Strugës, pasi kjo rritje ka ndikuar në mënyrë direkte në buxhetin e çdo familjeje. Të jetuarit në një qytet si Struga, ku shumica e familjeve përballen me pasiguri ekonomike, është bërë edhe më sfidues për shkak të çmimeve që janë shumë të ngjashme me ato të vendeve evropiane, pavarësisht se niveli i të ardhurave është ndjeshëm më i ulët.
“Çmimet në treg janë shumë të larta sipas standarteve tona që kemi në Maqedoni. Janë shumë të larta, ajo shporta e dhjetorit besoj se nuk i ndihmoi qytetarët apo nuk ndikoi shumë, edhe pse çmimet përsëri u rritën. Qytetarët me mjerisht po kalojnë muajin, çmimet janë shumë të mëdha dhe rrogat shumë të vogla. Qeveria duhet të marrë masa”, shprehet qytetari.
“Ushqimet para vitit të ri sikur do të uleshin, kurse 20% ishin ngritur. Nëse thoshin 60,000, kushton një shportë, me sa di unë shporta kushton 100,000 denarë. S’është normale”, theksoi qytetari.
“Ju përgëzoj që pyetni qytetarin e thjeshtë për këto halle të përditshme që i kemi. Po, çmimet, të themi që kanë qenë të ulura, hajde t’ia bëjmë qefin vetvetes, por çmimet po rriten dhe qytetari po bie dhe bie. Nëse qeveria nuk reagon në momentin e duhur, sa më shpejt, do të jetë një katastrofë tjetër dhe njerëzit do të vuajnë për bukë”, shprehet qytetari.
“E vlerësojmë katastrofike, s’ka kush shkon më keq. Si mund të jenë më rrogat e kësaj, kurse çmimet këtu janë më të shtrenjta se në Evropë”, theksoi qytetari.
Ndryshimi i çmimeve të produkteve ushqimore ka krijuar një farë lloj revolte tek qytetarët e Strugës. Ata thonë se kjo situatë kërkon rroga më të larta dhe duhet të krijohet një farë stabiliteti ekonomik.
Qytetarët kanë të drejtë të kërkojnë që qeveria të ndërhyjë për të parandaluar një varfëri të thellë dhe për të siguruar që ata mund të jetojnë një jetesë më të mirë.
FITORE ISTREFI ALUSHI
