Maqedoni
U promovuan 497 policë të rinj, “Puna e policit nuk është profesion, por mision”
25.01.2025 15:25
497 policë të rinj do t’i bashkohen forcave që mbrojnë rendin dhe sigurinë e vendit...

Ata sot u promovuan në Qendrën për Trajnim të Ministrisë së Punëve të Brendshme në Idrizovë. Mësuam që të jesh polic nuk është vetëm profesion, por mision që duhet të kryhet me dinjitet theksuan policët e rinj.
“Uniformën të cilën do ta mbajmë nuk është vetëm simbol i autoritetit, ai është simbol i besimit, ndërsa atë besim do ta marrim çdo ditë, me çdo hap që do ta ndërmarrim dhe me çdo vendim që do ta marrim. Mësuam se policia është më tepër se fuqi, ajo është prezencë që sjell paqe në kaos dhe siguri në pasiguri”, u shpreh kandidati më i mirë i gjeneratës Vlladimir Zimorkoski.
Duke përshëndetur gjeneratën e re të policëve ministri i punëve të brendshme, Pançe Toshkoski, bëri thirrje që të krijohet një polici moderne dhe profesionale, që do t’i kryejë detyrat në mënyrë transparente dhe me përgjegjësi.
“Mirëqenia dhe përparimi i një shoqërie bazohen në respektimin e ligjit, shtetit ligjor, themeli i të cilit është funksionimi i suksesshëm i sistemit të sigurisë. Kjo nënkupton krijimin, ndërtimin dhe përmirësimin e një force policore moderne, të pajisur, eksperte dhe profesionale, por sigurisht edhe të kënaqur, e cila do të kryejë detyrat dhe detyrimet e saj në mënyrën më ligjore, profesionale, të përgjegjshme dhe transparente në emër të qytetarëve”, theksoi ministri i punëve të brendshme, Pançe Toshkoski.
Ndihmës ministri i Qendrës për trajnim Vllatko Mirkovski ndërkohë, u bëri thirrje policëve të rinj që në situata të vështira të jenë gjakftohtë dhe të mos bien pre e emocioneve.
“Të jesh punonjës policie nuk është vetëm një punë, është një profesion që mbart një përgjegjësi të madhe. Bashkëqytetarët tanë do të shikojnë gjithmonë nga ju, si për hir të ruajtjes së sigurisë individuale dhe kolektive. Duke veshur uniformën e policisë bëheni anëtarë të një familjeje të madhe policie. Ju jeni këtu jo vetëm për bashkëqytetarët tanë, por edhe për njëri-tjetrin”, u shpreh ndihmës ministri i Qendrës për trajnim Vllatko Mirkovski.
Në fund të ceremonisë, u dhanë mirënjohje dhe shpërblime për kandidatët më të mirë të gjeneratës së re.
ERSAN PAJZITI
