Maqedoni
Klinika e onkologjisë, VMRO fton prokurorinë për përgjegjësi
25.01.2025 15:47
Pushteti dhe opozita në kërkim të përgjegjësisë për onkologjinë...

VMRO – DPMNE ka ftuar Fondin e Shëndetësisë të thotë të vërtetën për përfitimet nga ilaçet për sëmundjet onkologjike ndërkaq Prokuroria të nis hetimet për fryerjen shumvjeçare të parave nga Fondi i Shëndetësisë dhe klinikave.
“Nuk mund që i gjithë shteti të jetë peng i një kompanie të ilaçeve me marrëdhënie të afërta me opozitën. Ajo që Venko Filipçe ka pasur lidhje personale me themele në parti, nuk mund ta amnestojë ndërkaq populli të vuaj. Për tre dekada pacientët janë peng i mafijas së vdekjes e cila shkatërron jetë. As Venko Filipçe e as mafja e vdekjes e kryesuar nga kompania e ilaçeve ‘Dr Panovski’ nuk mund të jenë mbi ligjet”, u shpreh deputeti i VMRO – DPMNE - së, Mile Lefkov.
LSDM: Drejtorët dhe Taravari të dorëhiqen
Ndërkaq LSDM të shqetësuar për mungesën e barnave të cilat vënë në rrezik jetën e pacientëve ka kërkuar dorëheqjen e drejtorëve të Klinikës së Onkologjisë, drejtorit të Fondit të Shëndetësisë Sasho Klekovski dhe ministrit Arben Taravari.
“Mungesa e planit të duhur, mosfurnizimi në kohë me ilaçe, mungesa e sistemit funksional dhe regjistrit për pacientë dëshmon se nuk është ndërmarrë asgjë për t’u mbrojtur pacientët që sot po vuajnë. Në vend që problemi të zgjidhet urgjentisht, qeveria paralajmëron donacione për të zbutur mungesën. Kjo është e papërgjegjshme”, theksoi Simona Cvetanovska nga LSDM.
Ndërkohë që 60 pacientë në onkologji në pritje të terapisë biologjike. Autoritetet kanë premtuar zgjidhje deri në fund të muajit. Ndërkaq sa i përket akuzave të VMRO – DPMNE-së ndaj kompanisë së ilaçeve ‘Dr Panovski’, ditë më parë kompania në fjalë i ka quajtur si shpifje duke paralajmëruar edhe përballje ligjore me partinë e Mickoskit.
MERAL ISMAILI
