Botë

Kosovë, FSK pranon poligonin e qitjes nga KFA

25.01.2025 16:55

Forca e Sigurisë së Kosovës sot ka bërë pranimin e poligonit të qitjes...

Forca e Sigurisë së Kosovës sot ka bërë pranimin e poligonit të qitjes, donacion ky i Komandës së Forcave Amerikane për Evropë, pasi ka kaluar me sukses inspektimet dhe testimet e nevojshme.
 
“Në kuadër të bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës sot është bërë pranimi i poligonit të qitjes në Babaj të Bokës, Komuna e Gjakovës, një donacion i vlefshëm i Komandës së Forcave Amerikane për Evropë. Ky poligon, i pajisur me teknologji moderne dhe i licencuar për përdorim, ka kaluar me sukses inspektimet dhe testimet e nevojshme, duke ofruar kushte të sigurta për zhvillimin e aktiviteteve të qitjes me armë”, thuhet në njoftim.
 
FSK-ja thotë se, ky projekt është dëshmi e bashkëpunimit të ngushtë dhe mbështetjes së Ushtrisë Amerikane për zhvillimin e aftësive të sigurisë dhe mbrojtjes të Forcës së Sigurisë së Kosovës.