Maqedoni

Gripi stinor mbush ambulancat dhe spitalet

26.01.2025 13:51

Gripi stinor vazhdon të përhapet me shpejtësi të madhe...

Ditëve të fundit të gjitha ambulancat dhe spitalet e vendit janë përplot me pacientë të cilët kërkojnë ndihmë mjekësore nga gripi. Mjekja familjare, Ivona Ilijoska, për TVM 2, thotë se ditëve të fundit dyfish është rritur numri i të prekurve nga gripi që jo shpeshherë janë në gjendje të mirë.
 
Në të shumtën e rasteve si të rriturit ashtu edhe fëmijët vijnë me simptoma të gripit, si: dhimbje kyçesh, muskujsh, ethe dhe kollë, ndërsa plogështia tek ata zgjat edhe deri në dy javë. 
 
“Numri i pacientëve gjatë dy javëve të fundit në mënyrë drastike është rritur. Në të shumtën e rasteve pacientët vijnë me plogështi, me dhimbje të madhe nëpër gjithë trupin, dhimbje në fyt dhe hundë të zëna, ndërsa një pjesë e tyre kanë edhe temperaturë deri më 40 grad. Numri i pacientëve që po i kontrollojmë në ambulancën tonë lëviz prej 150 deri më 200 pacientë në ditë. Deri më tani ne nuk kemi dërguar asnjë pacient në kurim spitalor, pasi që po i kurojmë në ordinancë ku përveç terapisë së nevojshme, pacientëve u japin edhe infuzione vitaminoze. Më të rrezikuar janë të moshuarit dhe më të vegjëlit”, u shpreh mjekja familjare Ivona Ilijoska. 
 
Fëmijët nën moshën 3 vjeç janë më të rrezikuarit nga ky grip, pasi që ai mund të përparojë shumë shpejtë dhe të shkaktojë ndezje kronike tek kjo grupmoshë, thonë mjekët nga Klinikën e Fëmijëve në Kozle. Aktualisht në këtë klinikë janë hospitalizuar 63 fëmijë të prekur nga gripi, dy prej të cilëve janë vendosur në oksigjen, ndërsa numri i kontrolleve mjekësore ditë arrin deri më 180.  
 
“Në spital për momentin gjendja është stabile, kemi të hospitalizuar 63 pacientë, fëmijë nga të gjitha moshat. Në repartin intensiv janë të hospitalizuar dhjetë fëmijë, prej të cilëve dy i kemi të kyçur në oksigjen. Ambulancat tona në ditë kontrollojnë mesatarisht nga 150 deri në 180 pacientë, gjatë vikendeve edhe më shumë. Do të thoja se gjendja me gripin është stabile, por edhe në rritje numri i të prekurve. Pikun e gripit e presim në mes të muajit shkurt. Foshnjat që janë të hospitalizuar janë me virus, më shumë me infeksione virale dhe bakteriale të traktit të sipërm të frymëmarrjes”, theksoi pediatrja në klinikën e fëmijëve në Kozle, Olga Smilevska Spasovska.
 
Mjekët thonë se piku i gripit sezonal do të jetë deri në fund të muajit shkurt, andaj mjekët rekomandojnë dhe këshillojnë të prekurit e me grip kurimin e tyre të bëjnë në ambiente shtëpiake, pa lëvizur dhe e munduar trupin e tyre. Të qëndrojnë të izoluar, të mbajnë maska mbrojtëse dhe të shmangin grupet dhe kontaktet me njerëzit e tjerë dhe të mbajnë higjienën për të parandaluar përhapjen e gripit.
 
REXHEP QAMILI