Maqedoni
Sfidat e gjyqsorit, Kambovski: Këshilli gjyqsor po normalizohet
26.01.2025 14:48
Pas problemeve në Këshillin Gjyqsor, gjërat po normalizohen...

Pas problemeve në Këshillin Gjyqsor, gjërat po normalizohen, theksoi kryetari i Këshillit Gjyqsor Aleksadar Kambovski në një intervistë për REL. Qëllimi i tij në atë ardhmen do të jetë që Këshillin ta afrojë me gjykatësit.
Sa i përket paralajmërimeve se do të shkarkohen anëtarët që i zgjedh Kuvendi për shkak të raportit vjetor negativ, Kambovski vlerëson se vendi i vetëm ku është parashikuar mënyra ose procedura për shkarkimin e një anëtari të Këshillit Gjyqësor është në Ligjin për Këshillin Gjyqësor.
“Në asnjë vend tjetër nuk kam hasur në ligj që ekziston një mundësi e tillë – që të shkarkohen në ndonjë procedurë tjetër. Pra, shkarkimi zhvillohet këtu, në Këshillin Gjyqësor”, u shpreh kryetari i këshillit gjyqsor Aleksandar Kambovski.
Ai thotë se kritikat ndaj Këshillit Gjyqësor nuk i marrin si presion, por që sipas tij nuk duhet që të kërkohet përgjegjësi kolektive, por individuale, pasi sipas tij, në mesin e Këshillin Gjyqsor ka shumë profesionist.
“Nuk është ide e mirë që trupat kolektivë të shkarkohen kolektivisht. Unë gjithmonë jam angazhuar për përgjegjësi individuale. Përgjegjësia gjithmonë ka një emër dhe mbiemër. Nuk mund të fusim gjithçka në një thes, nuk mund të themi se i gjithë Këshilli Gjyqësor ose ai i Prokurorisë Publike nuk ka funksionuar si duhet. E njëjta gjë vlen edhe për gjyqtarët – nuk mund të themi se të gjithë gjyqtarët nuk janë të mirë dhe tani duhet t’i shkarkojmë të gjithë. Jo, përgjegjësia individuale është ajo që duhet të ketë vëmendje, dhe me të vërtetë ata individë që nuk e bëjnë punën e tyre duhet të mbajnë përgjegjësi”, theksoi Kambovski.
Sa i përket akuzave që në Këshillin Gjyqsor janë zgjedhur persona të afërt me pushtetin si Danka Ristova e cila është bashkëshortja e kryetarit të Komunës së Radovishit Aco Ristov nga rradhët e VMRO-DPMNE-së, Kambovski theksoi se Ristova para se gjithash është një gjykatëse me përvojë të madhe.
“Kolegia është gjyqtare që nga viti 1996, që do të thotë se ajo ka jetën dhe karrierën e saj. Është e trishtueshme nëse tani e lidhim vetëm me burrin e saj dhe me atë që ai bën. Ajo është një person i pavarur dhe i ndërtuar, i cili shumë vite para burrit të saj, për të cilin nuk e di nëse atëherë merrej me politikë, ka qenë gjyqtare. Pra, ajo vjen nga gjyqësori dhe ka qenë për shumë vite pjesë e këtij sistemi”, u shpreh Kambovski.
I pyetur në lidhje me gjykatësin Enver Bexheti, I cili edhe pse është futur në Listë të Zezë të SHBA-ve vazhdon të ushtrojë funksionin e tij si gjykatës në Gjykatën e Apelit, Kambovski tha se një gjë e tillë nuk është e këndshme dhe se Këshilli Gjyqësor bën gjithçka që është brenda mundësive të tij.
ERSAN PAJAZITI
