BDI: Shqiptarët përjashtohen nga bordet shëndetësore

27.01.2025 11:56

Bashkimi Demokratik për Integrim...

Bashkimi Demokratik për Integrim vazhdon akuzat ndaj koalicionit VLEN. Në një komunikatë për media thuhet se në bordet drejtuese të institucioneve shëndetësore publike të vendit po synohet përjashtimi i shqiptarëve nga puna dhe zëvendësimi me maqedonas.

BDI kërkon nga Qeveria që të respektojë parimin e përfaqësimit të drejtë dhe të barabartë të të gjitha komuniteteve etnike në vend.

Sipas BDI-së, në Klinikën Universitare për Sëmundjet e Syrit, anëtari i vetëm shqiptar i bordit, Nedim Kasami, është zëvendësuar me Violeta Bilbilovska.

Në PHE Poliklinika “Zhelezara”, anëtari i vetëm shqiptar i bordit, Nuran Veseli, është zëvendësuar me Vesna Andonovska. Në Klinikën Universitare për Reumatologji, numri i anëtarëve shqiptarë është përgjysmuar nga dy në një, ku Shehu është zëvendësuar me Ivana Petkovska. Në Klinikën Universitare për Hematologji, anëtari i vetëm shqiptar, Dr. Aliriza Osmani, është larguar, duke krijuar një bord monoetnik, ku Pavlina Budiq ka zëvendësuar Osmanin”.

“BDI dënon fuqishëm këto veprime dhe kërkon nga Qeveria që të respektojë parimin e përfaqësimit të drejtë dhe të barabartë të të gjitha komuniteteve etnike në vend. BDI do të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm për të mbrojtur të drejtat dhe interesat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut dhe për të siguruar që parimet e barazisë dhe përfaqësimit të drejtë të respektohen në të gjitha institucionet shtetërore.”, thonë nga BDI.