Zgjedhjet në Bjellorusi, BE paralajmëron sanksione

27.01.2025 12:50

Bëhet e ditur se ato i kërkuan qeverisë bjelloruse...

“Zgjedhjet në Bjellorusi nuk kanë qenë as të lira dhe as të drejta.”, tha shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, në një deklaratë të përbashkët me komisionaren e zgjerimit, Marta Kos.

“Shtypja e pamëshirshme dhe e paprecedentë e të drejtave të njeriut, kufizimet për pjesëmarrjen politike dhe aksesin në mediat e pavarura në Bjellorusi, e kanë privuar procesin zgjedhor nga çdo legjitimitet”, thuhet në deklaratë.

Bëhet e ditur se ato i kërkuan qeverisë bjelloruse të lirojë të burgosurit politikë, duke përfshirë një punonjës të delegacionit të BE-së në kryeqytetin, Minsk.

Ndër tjera, Kallas dhe Kos thanë se vendimi për të ftuar vëzhgues nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë vetëm 10 ditë më parë e pengoi grupin të monitoronte procesin e plotë zgjedhor.

 “Për këto arsye, si dhe përfshirjen e regjimit bjellorus në luftën e Rusisë kundër Ukrainës dhe sulmet e saj hibride kundër fqinjëve të saj, BE do të vazhdojë të vendosë masa kufizuese dhe të synuara kundër qeverisë bjelloruse.”, njoftuan zyrtarët e BE-së.

Vlerësohet se ka rreth 1.200 të burgosur politikë në sistemin e burgjeve në Bjellorusi dhe rreth 500.000 njerëz u larguan nga vendi pas zgjedhjeve të vitit 2020.