Maqedoni
Gjykimi për vrasjen e Vanjës, Pallço kërkon përjashtim të prokurorisë
27.01.2025 14:20
Pallço kërkoi nga Gjykata Themelore Shkupi-1 që të përjashtohet nga kjo lëndë prokurorja, Zhakllina Kërstevska Josifovska...

I akuzuari i parë për vrasjen e 14-vjeçares, Vanja Gjorçevska dhe Pançe Zhezhovskit, Ljupço Palevski - Pallço kërkoi nga Gjykata Themelore Shkupi-1 që të përjashtohet nga kjo lëndë prokurorja, Zhakllina Kërstevska Josifovska, ndërsa i kërkoi kryeprokurorit, Ljupço Kosevskit, që të përjashtohet e gjithë prokuroria e Shkupit, pasi ai dyshon në të gjithë procedurën hetimore dhe gjyqësore. Palevski dyshon se të akuzuarit e të tjerë në këtë rast kanë negociuar me Prokurorinë për ta shpallur atë fajtor padrejtësisht.
“Përjashtimin e kërkojmë sepse që në fazën e hetimit, kur e morëm raportin e Prokurorisë se mund të grumbullojmë provat tona, unë si avokat u drejtova të SPB-Veles, sepse kisha njohur se Boro Videvski posedon pistoletë, kalibër 9 milimetra, i njëjti kalibër me të cilën është kryer vrasja e Pançe Zhezhovskit, gëzhoja e cila është gjetur në vendin e ngjarjes ku ai është vrarë. Andaj vlerësojmë se hetimi në një pjesë është i paligjshëm, me arsyetimin se gëzhoja e dorëzuar mbi të cilën është bërë ekspertizë, nuk është propozuar të jetë dëshmi.”, - deklaroi avokati i Ljupço Palevskit, Marijan Vitanovski.
Prokuroria: Kërkesa është e pabazë
Për t’i dhënë kohë kryeprokurorit për t’u përgjigjur kësaj kërkese, gjykatësi Ivica Stefanovski shtyu gjykimin për më 3 shkurt. Prokurorja Zhaklina Kërstevska Josifovska thotë se e kërkesa e Pallços është e pabazuar, pasi siç tha, Prokuroria ka siguruar prova të mjaftueshme për të vërtetuar në gjykatë se ai ka kryer vrasjen. Njëherit mohon pretendimet se Prokuroria ka negociuar me ndonjë prej të akuzuarve në këtë rast.
“Prokuroria ka ndërmarrë veprime të mjaftueshme dhe për këtë arsye them se të gjitha deklaratat e tij janë të pabaza. Dëshmitë tona janë paraqitura në lëndë dhe është më se evidente se me prezantimin e video-incizimeve do të përafrohemi ku opinioni do të njoftohet se cilat veprime i ka ndërmarrë Pallevski, i cili mohon se ka marrë pjesë në këto ngjarje.”, - theksoi prokurorja, Zhaklina Kërstevska Josifovska.
Në seancat e ardhshme gjyqësore do të duhet të dëshmojë edhe Goce Trajkovski, i cili është një nga dëshmitarët kryesorë në rastin e rrëmbimit dhe vrasjes së 14-vjeçares dhe Pançe Zhezhovskit nga Velesi. Trajkovski dhe babai i vajzës së vrarë, Aleksandar Gjorçevski, supozohet se pas zhdukjes së Vanjës kanë zhvilluar hetim paralel me atë të policisë dhe prokurorisë, ku kishin grumbulluar video-incizime rreth lokaleve ku kishte lëvizur Vanja para rrëmbimit. Në gjykimet e radhës Prokuroria do të duhet të prezantojë edhe provat materiale, respektivisht video-incizimet me të cilët pretendon të vërtetojë aktakuzën se Pallço është fajtor.
REXHEP QAMILI
