Maqedoni

Taravari dhe Klekovski: Këtë javë do të ketë terapi biologjike

27.01.2025 14:54

Këtë javë do të jenë në dispozicion gjashtë barnat biologjike që u mungonin pacientëve në Klinikën e Onkologjisë...

Këtë javë do të jenë në dispozicion gjashtë barnat biologjike që u mungonin pacientëve në Klinikën e Onkologjisë, informoi ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari. Drejtori i Fondit për Sigurime Shëndetësore, Sasho Klekovski, paralajmëroi se deficiti së shpejti do të zgjidhet, pjesërisht me donacione, pjesërisht me anekse të kontratave për furnizime publike për barna.
 
“Nuk është e vërtetë se nuk ka barna, ka barna për pacientët onkologjikë, por ka munguar vetëm një javë terapia biologjike. Dua të informoj opinionin se terapia biologjike këtë periudhë është dhënë shumë më shumë sesa më parë, por kërkesat prej pacientëve janë shumë më të mëdha, prandaj edhe kemi bërë protokolle se ku duhet të jepet kjo terapi biologjike. Prej kësaj jave përsëri do të rikthehet komplet terapia biologjike, por dua të ripërsëris se ilaçe kanë pacientët, por nuk e kanë vetëm terapinë biologjike.”, - deklaroi ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari.
 
“Sapo kam ardhur nga një takim me drejtorin e klinikës. Disa prej tyre do të zgjidhen me donacione që do të realizohen gjatë javës, pasi që barnat janë të pranishme dhe në magazinë në Maqedoni, disa do të jenë me anekse të kontratave dhe këtë po e sqarojmë sot dhe nesër me prokurim publik. Pra, mendoj se ilaçet kritike do të jenë në dispozicion shumë shpejt.”, - theksoi drejtori i FSSh-së, Sasho Klekovski.
 
LSDM dhe VMRO-DPMNE përplasen për ilaçet në Klinikën e Onkologjisë
 
Ndërkohë VMRO-DPMNE dhe LSDM janë përplasur rreth situatës me barërat në Onkologji. Partia maqedonase në pushtet akuzoi LSDM-në se kur kjo e fundit ishte në pushtet, në Onkologji janë bërë përfitime joligjore.
 
“Për vite me radhë, mafia e vdekjes e udhëhequr nga furnizuesi i barnave, Dr. Panovski, ka bërë fitime të mëdha dhe shantazhon Fondin e Sigurimit  Shëndetësore dhe Ministrinë e Shëndetësisë. Është i njëjti tregtar me shumicë në pronësi të babait të një bashkëpunëtori të ngushtë të Venko Filipçes. Venko Filipçe dhe LSD po e mbrojnë politikisht këtë mafi që ata vetë e kanë krijuar ndër vite. I bëjmë thirrje Prokurorisë Publike që të mos presë, por të interesohet për zhvillimet në Onkologji.”, - u shpreh Brane Petrushevski nga VMRO-DPMNE.  
 
E vërteta për Onkologjinë do të mësohet nëpërmjet komisionit anketues për këtë klinikë e kërkuar nga VMRO-DPMNE, i udhëhequr nga Rashela Mizrahi, thotë kreu i LSDM-së, Venko Filipçe.
 
“Mizrahi nga atëherë e deri më sot pretendon se unë jam përgjegjës për atë rast. Për të kujtuar opinionin, akuza ishte se unë si ministër i atëhershëm i Shëndetësisë duhet të kisha mbajtur gjurmët e detyrimeve të Ministrisë së Shëndetësisë ndaj Klinikës së Onkologjisë dhe anasjelltas, dhe i referohet raporteve të rregullta gjashtëmujore të punës së klinikës dhe të komisioneve të ekspertëve. Të gjitha raportet janë dorëzuar siç duhet, të plotësuara dhe të certifikuara mjeshtërisht. Edhe në kohët më të vështira të Kovidit, kur ka pasur kufizime në lëvizje, asnjë pacient onkologjik, dhe pacientët e dinë këtë, nuk ka mbetur pa terapi, e gjithë kjo është bërë në bashkëpunim të rregullt me Ministrinë e Shëndetësisë.”, - deklaroi Venko Filipçe nga LSDM.
 
Akuzat ndërpartiake filluan pas mungesës së terapisë së nevojshme onkologjike, ku gati një javë pacientët po përballen me mosmarrjen e terapisë së nevojshme.
 
VLORA LATIFI TOPOJANI