Maqedoni

BDI, akuza Taravarit: Shqiptarët shkarkohen nga bordet në shëndetësi

27.01.2025 15:05

BDI akuzon ministrin e Shëndetësisë, Arben Taravari, për zëvendësim të anëtarëve shqiptarë në bordet e institucioneve...

BDI akuzon ministrin e Shëndetësisë, Arben Taravari, për zëvendësim të anëtarëve shqiptarë në bordet e institucioneve shëndetësore publike me pjesëtarë të etnive të tjera. Sipas BDI-së, kuadrot shqiptarë janë zëvendësuar me maqedonas në Klinikën për Sëmundjet e Syrit, Poliklinikën “Zhelezarë”, Reumatologji, Hematologji, Institutin për Sëmundjen e Mushkërive dhe Tuberkulozin, por edhe në Kardiologji.
 
“Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) shpreh shqetësimin e thellë për veprimet e fundit të Qeverisë, të cilat synojnë përjashtimin e shqiptarëve nga bordet drejtuese të institucioneve shëndetësore publike. Këto veprime përbëjnë një politikë të qartë të përjashtimit dhe dominimit monoetnik, duke minuar parimet e barazisë dhe përfaqësimit të drejtë.”, theksojnë nga BDI.  
 
Taravari: Pretendimet e BDI-së për bordet, të pavërteta
 
Ndaj akuzave të BDI-së ka reaguar ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, sipas të cilit janë përmendur vetëm klinikat ku ka më pak shqiptarë, e nuk janë përmendur ato ku ka rritje të numrit të shqiptarëve.
 
“E lexova reagimin, po është qesharak. Kanë përmendur 4 apo 5 klinika ku është një shqiptar më pak, por nuk i përmendin klinikat ku ka një ose dy shqiptarë më shumë, kështu që numri i anëtarëve të bordeve është realisht lartë-poshtë njësoj sikur më parë. Po me rëndësi është se shqiptarët janë prezent në shumicën e institucioneve, përqindja është e njëjtë, mundet më shumë të ketë, por më pak jo. Duhej të jenë korrekt, kur përmendin klinikat ku s’ka asnjë shqiptar, të përmendin edhe klinikat ku ka më shumë shqiptarë se sa që ka pasur më parë.”, - theksoi ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari.
 
Taravari njëherit mohon akuzat e BDI-së se ekziston prirje shqetësuese për përjashtimin e shqiptarëve nga pozitat vendimmarrëse në shëndetësinë publike.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU