Maqedoni
Filipçe fton Mickoskin të takojë sa më parë kryeministrin bullgar
27.01.2025 15:15
Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, mbështet kryeministrin Hristijan Mikckoski, që të takojë qeverinë e re bullgare në krye me Rosen Zhelazkovin....

Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, mbështet kryeministrin Hristijan Mikckoski, që të takojë qeverinë e re bullgare në krye me Rosen Zhelazkovin. Filipçe konsideron se është legjitime që Qeveria të kërkojë garanci plotësuese, pasi që koha po kalon, ndërsa Shqipëria dhe Mali i Zi me hapa të mëdhenj ecin në rrugën e integrimit evropian. Vlerëson se edhe pse kjo Qeveri, e sidomos VMRO-DPMNE erdhi në pushtet me fushatën negative, duke sulmuar marrëveshjen për fqinjësi të mirë me Bullgarinë dhe konkluzat e propozimit francez, ky takim duhet të ndodhë sa më parë.
“Vlerësoj se në mënyrë të qartë është vërtetuar identiteti, gjuha maqedonase dhe tani më kemi nënshkruar marrëveshje me BE-në. Është legjitime që Qeveria të kërkojë garanci plotësuese. Një nga argumentet ishte se nuk ka qeveri politike në Sofje, ja tani ka dhe absolutisht e mbështes kryeministrin që sa më shpejtë të kërkojë takim me qeverinë politike, përfaqësues dhe kryeministri në Bullgari, me qëllim që edhe kjo pjesë më në fund të pastrohet. Të shohim se nëse do të mund apo jo të fitojmë garanci plotësuese. E përsëris, e mbështesim cilin do propozim që është më i mirë, çfarëdo lloj garancie plotësuese.”, - deklaroi kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe.
Filipçe edhe më tej vlerëson se për çështje të interesit nacional duhet të diskutohet në tryezë të përbashkët.
“Absolutisht vlerësojmë se për çështje me interes nacional duhet të diskutohet në tryezë të përbashkët. Fillimisht të identifikohen, të shihet se cilat janë ato dhe të dihet se për çfarë flasim. Ka projekte të ndryshme nga shumë sfera, nuk është vetëm politika e jashtme. Nga gjërat kyçe janë edhe arsimi, shëndetësia dhe çështje të tjera, që i tangojnë qytetarët.”, - theksoi kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe.
Formimi i qeverisë së re në Bullgari, sipas euroambasadorit në vend, Mihalis Rokas, është një mundësi e shkëlqyer për Maqedoninë për t’u avancuar në rrugën e zgjerimit. Ndërkohë, kryeministri i ri bullgar, Rosen Zhelazkov, pas zgjedhjes së tij ka shprehur mbështetjen e Bullgarisë për zgjerimin e Bashkimit Evropian, por me respekt të rreptë të parimit të përmbushjes së detyrimeve dhe meritave, duke konfirmuar kështu se Bullgaria mbetet konsistente me të ashtuquajturin, propozimin francez. Kryeministri, Hristijan Mickoski, të premten e kaluar shprehet i gatshëm të takohet me homologun e tij bullgar për të diskutuar rreth çështjeve të hapura, megjithatë thekson se qëndrimet e Maqedonisë së Veriut mbeten të pandryshuara.
FLORIJE KAMBERI
