Rajon

Bruksel, Peter Sorensen, emisar për dialogun Kosovë - Serbi

27.01.2025 15:46

Ministrat e Jashtëm të BE-së kanë konfirmuar danezin, Peter Sorensen...

Ministrat e Jashtëm të BE-së kanë konfirmuar danezin, Peter Sorensen, për emisar evropian për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. 
 
Politikani nga Danimarka u propozua nga përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, për ta zëvendësuar Mirosllav Lajçakun në këtë post, mandati i të cilit përfundon më 31 janar. Pasi ka marrë pëlqimin nga ambasadorët dhe kryediplomatët e vendeve të BE-së, Sorensen do të nisë mandatin me një shkurt. Ministrja e Jashtme e Sllovenisë, Tanja Fajon, me këtë rast ka deklaruar se me zgjedhjen e diplomatit nga Danimarka si emisar, BE-ja po dërgon mesazh se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë mbetet lart në agjendën e bllokut evropian.
 
Sorensen ka përvojë të gjatë diplomatike në strukturat e BE-së. Ai mes tjerash ka shërbyer si përfaqësues i posaçëm i BE-së për Bosnje e Hercegovinë dhe shef i zyrës së BE-së në Sarajevë. Po ashtu ka qenë edhe shef i delegacionit të bllokut evropian në Shkup. Më herët, Sorensen ka punuar si këshilltar edhe në Kosovë në misionin e Kombeve të Bashkuara UNMIK, ndërsa ka qenë edhe përfaqësues i posaçëm i përfaqësuesit të lartë të BE-së në Serbi. Ai ka punuar edhe në misionin e OSBE-së në Kroaci.