Maqedoni

LSDM dhe organizata e LNÇ-së kundër ndërrimit të emrave të rrugëve në Tetovë

27.01.2025 16:32

LSDM dhe LNÇ kanë dalur kundër paralajmërimit të Kryetarit të Komunës së Tetovës, Bilall Kasamit, për riemërimin e rrugëve të këtij qyteti....

Ditë më parë, LSDM-ja bashkë me Organizatën Komunale të Lidhjes së Luftëtarëve të LNÇ-së dhe luftës antifashiste dhe qytetarë të Tetovës, kanë reaguar ashpër duke kundërshtuar, siç thonë, paralajmërimet e kryetarit të komunës së Tetovës, Bilall Kasamit, për riemërimin e rrugëve të qytetit. Nga LSDM thonë se këshilltarët e tyre në Këshillin e komunës së Tetovës ashpër do ta kundërshtojnë riemërimin e rrugëve të Tetovës.
 
“Si partner koalicioni të Kasamit, kërkojmë që Mickoski publikisht t`i bëjë thirrje që ta tërheqë këtë propozim-ligj. Këshilltarët e DPMNE-së gjithashtu ta kundërshtojnë dhe të jenë kundër, me çka ky vendim nuk do të miratohet. LSDM-ja publikisht dënon qëllimet e Kasamit për të krijuar ndasi të reja midis qytetarëve dhe tensione etnike.”, - thuhet në komunikatën me shkrim të Andriana Tomovska nga LSDM.
 
Edhe Lidhja e Luftëtarëve të LNÇ-së në Tetovë përmes një letre të hapur që i është dërguar Qeverisë dhe Ambasadave të huaja, nga kjo Lidhje kanë rikujtuar Kasamin se duhet të jetë kryetar i të gjithë qytetarëve dhe se vendimi për riemërimin e rrugëve duhet të miratohet edhe me shumicë votash të këshilltarëve, që i takojnë komuniteteve joshumicë në komunë.  Por, kreu i Tetovës, Bilall Kasami, mbetet në qëndrimin për riemërimin e rrugëve.
 
“Një ndër projektet më të rëndësishme për komunën e Tetovës ka qenë edhe projekti i emërtimit të shumë rrugëve, të cilat i kemi gjetur pa emër, me numra dhe rrugë, të cilat edhe sot ne si institucione lokale, por edhe institucione të tjera qendrore, por edhe kompanitë private kanë problem që t’iu dërgojnë qytetarëve fatura të ndryshme apo të komunikojnë në mënyrë të qytetëruar me qytetarët e Tetovës. Unë besoj që me përfundimin e këtij procesi, të gjitha palët do të dalin fitues, sepse çdo qytetar i komunës së Tetovës do të ketë adresë të saktë me numër të rrugës në të cilën jeton.”, - tha kreu i Tetovës, Bilall Kasami. 
 
Komuna e Tetovës ka formuar grup të punës për emërimin dhe riemërimin e rrugëve, shesheve, parqeve dhe objekteve të infrastrukturës. Në fazën e parë është bërë regjistri i të gjithë rrugëve, pas çka duhet të publikohet shpallja publike për propozime të emrave, që më pas duhet të kalojnë në Këshillin Komunal të Tetovës dhe në seancë të Qeverisë.
 
VISAR SADIKI