Maqedoni

80 vjet nga çlirimi i Aushvicit, Siljanovska: Holokausti të mos harrohet kurrë

27.01.2025 16:58

54 delegacione ndërkombëtare kanë arritur në Poloni për të përkujtuar ditën kur trupat sovjetike çliruan Aushvicin...

54 delegacione ndërkombëtare kanë arritur në Poloni për të përkujtuar ditën kur trupat sovjetike çliruan Aushvicin, kampin gjerman të përqendrimit, që ishte vendi i mizorisë masive më të keqe në histori, tetë dekada më parë, përkatësisht në vitin 1945, ku u vranë të paktën 1.1 milion njerëz, kryesisht hebrenj. Presidentja e vendit, Gordana Siljanovska, e cila ndodhet në Poloni, tha se edhe Maqedonia e Veriut, gjithmonë do të kujtojë 8.000 hebrenjtë e dëbuar nga Bullgaria në kampet e Gjermanisë naziste. Apeloi që Holokausti të mos harrohet kurrë dhe të vendoset një traditë e vizitave të organizuara në Treblinka. 
 
“Ata janë pjesë e identitetit tonë dhe mendoj që duhet ta vendosim një traditë për vizitë të Treblinkës që të japim respekt, respekt të cilin do ta praktikojmë, do ta përkujtojmë dhe jo vetëm që besojmë që një gjë e tillë më nuk do të ndodhë, por duhet të themi se sa jemi gjallë dhe ata pas nesh askush nuk duhet të lejojë të ndodhë një gjë e tillë.”, - deklaroi presidentja e RMV-së, Gordana Siljanovska.
 
Manifestimit për 80-vjetorin e çlirimit të kampit nazist të shfarosjes së të mbijetuarve të Aushvic – Birkenau iu bashkuan  edhe Mbreti britanik Çarls III; presidenti francez, Makron; kancelari gjerman, Sholc; presidenti i Këshillit Evropian, Kosta. Mes tyre në kolonë ishte edhe presidenti polak, Arndzej Duda. Së bashku vendosën kurora dhe ndezën qirinj para murit të vdekjes. Nga Muzeu “Aushvic-Birkenau”, kanë bërë të ditur se ky përvjetor do të jetë pa fjalime të politikanëve. Fjalimet do të mbahen vetëm nga të mbijetuarit e kampit, sepse sipas drejtorit të muzeut do të jetë ndoshta përkujtimi i fundit madhor ku ata do të mund të dëshmojnë personalisht për përvojat e tyre.
 
Aushvici ishte një kamp përqendrimi dhe shfarosje i ngritur nga nazistët në Poloni gjatë Luftës së Dytë Botërore, i njohur si një simbol i gjenocidit dhe krimeve të luftës. Miliona njerëz, kryesisht hebrenj, por gjithashtu romë, polakë, dhe të tjerë, humbën jetën në Aushvic nga torturat, uria dhe masakrat masive. Kampi u çlirua më 27 janar 1945 nga ushtria sovjetike dhe tani është një memorial dhe muze për kujtimin e viktimave të Holokaustit. 
 
ARMEND MURSELI