Maqedoni
Ambasada e ShBA-së në Shkup, ndërpriten të gjitha projektet në RMV
27.01.2025 17:29
Ambasada amerikane në Shkup ka njoftuar të gjitha OJQ-të dhe organizatat tjera...

Ambasada amerikane në Shkup ka njoftuar të gjitha OJQ-të dhe organizatat tjera që tashmë kanë fituar dhe thuajse i kanë realizuar projektet në RMV, që të ndalojnë realizimin e projekteve.
Njoftimi në fjalë është konform urdhrit ekzekutiv të presidentit amerikan, Donald Tramp, i cili “ngriu” ndihmat e huaja për 90 ditë për të gjitha vendet, përveç Izraelit dhe Egjiptit.
Në këtë kontekst është edhe njoftimi nga Këshilli Etik i Mediave në Maqedoninë e Veriut, i cili ka anuluar takimin e 30 janarit me përfaqësues të Televizioneve, për procesin e avancimit të Kodeksit të Gazetarëve.
“Para pak çasteve morëm njoftimin nga ShGM-ja se donatori i këtij projekti, Organizata Ndërkombëtare – IREKS, kërkon ndërprerjen e të gjitha aktiviteteve për realizimin e projektit. Kjo vjen pas vendimit të autoriteteve të reja amerikane për “ngrirjen” dhe revizionin e thuajse gjithë ndihmës së ShBA-së nëpër botë, në kohëzgjatje prej 90 ditëve.”, thuhet në njoftimin e Këshillit Etik të Mediave.
Udhëzuesi që të premten u publikua nga sekretari amerikan i Shtetit, Mark Rubio, dërguar nëpër të gjitha përfaqësitë diplomatiko-konsulare, kërkon që të punësuarit të japin “urdhra për stopimin e punës” për të gjitha “çmimet ekzistuese për ndihmë të huaj”.
Ndihma e ShBA-së në RMV menaxhohej përmes projekteve të Ambasadës dhe USAID-it, kurse fokusohej në sundimin e së drejtës, sigurisë kibernetike, ambientit jetësor, zhvillimit demokratik, përmirësimit të konkurrencës, luftës kundër korrupsionit dhe për pjesëmarrje më të madhe civile. Vetëm për sistemin gjyqësor, ShBA-ja ka dhënë donacione thuajse prej 500 milionë eurosh.
