Jep dorëheqjen kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviç
Kryeministri serb Millosh Vuçeviç...

Kryeministri serb Millosh Vuçeviç, ka dhënë dorëheqje nga pozicioni i tij, pasi protestuesit e konsiderojnë përgjegjës për atë që ndodhi në Novi Sad.
Në një fjalim të jashtëzakonshëm për publikun në ndërtesën e Qeverisë, pas protestave të fuqishme të studentëve pas ngjarjes në Novi Sad, ai deklaroi se kur mori mandatin nga Presidenti i Serbisë për postin qeveritar në fund të prillit të vitit të kaluar, kishte një ndjenjë të fortë krenarie dhe u përpoq të kuptonte përgjegjësinë që ka kjo punë.
Ai thotë se ishte i vetëdijshëm që Serbia kishte sfida të shumta brenda vendit, por edhe më gjerë. Ai deklaroi se është krenar për gjithçka që është bërë nga qeveria serbe.
“Ajo që na tronditi të gjithëve ishte tragjedia e 1 nëntorit 2024. Humbja e 15 jetëve dhe dy të plagosurve. Serbia duket se ka mbetur e mbërthyer në atë aksident. E pamë abuzimin politik të aksidentit”– tha ai.
Sipas tij, edhe këtu qeveria ka treguar përgjegjësi, pasi dy ministra kanë dhënë dorëheqje. Ai thotë se qeveria u përpoq të plotësonte kërkesat e studentëve. Serbia prej kohësh është “mbërthyer” nga protestat e studentëve, të cilët kërkojnë përgjegjësi për tragjedinë e ndodhur në Novi Sad, ku vdiqën 15 persona, pasi u shemb çatia e një stacioni treni.
