Lindja e Mesme, vazhdon rikthimi i palestinezëve në veri të Gazës

28.01.2025 13:54

Mbi 300 mijë palestinezë të zhvendosur...

Mbi 300 mijë palestinezë të zhvendosur janë kthyer në Rripin verior të Gazës. Rreth 90% e njerëzve të zhvendosur nuk kanë shtëpi ku të qëndrojnë, tha një zyrtar i Hamasit për mediat e Katarit.

Banorët e zhvendosur duhet të ecin më shumë se tetë kilometra në rrugë të shkatërruara dhe nuk ka burime në dispozicion për t'i akomoduar ata. Për banorët e zonave kufitare me enklavën, siguria ende mbetet një shqetësim i madh.

“Ne duam siguri të vërtetë dhe në të njëjtën kohë duam të kthehen të gjithë vëllezërit tanë.”, - tha një banor.

“Është një gabim i madh të ktheheni tani pasi u vranë 300, 400 ushtarë në pushtimin e këtij brezi.”, - tha një banor tjetër.

"Le të kthehen të sigurt në shtëpi dhe të bëjnë jetë normale. Ne duam të njëjtën gjë në të dyja anët e kufirit.”, - u shpreh një banor.

Negociatat për fazën e dytë të marrëveshjes do të fillojnë javën e ardhshme. Hamasi konfirmoi se do të lirojë gjashtë pengje të tjera izraelite deri në fund të javës, duke përfshirë Arbel Jehud, të cilin Izraeli kishte kërkuar të lirohej në një shkëmbim të mëparshëm. Kryeministri i Izraelit, Netanjahu, tha se ata mbeten të përkushtuar për të shkatërruar grupin militant.

“Lista e Hamasit përputhet me shërbimin e kundërzbulimit izraelit. Kjo është arsyeja pse unë mund të them se 25 nga pengjet tanë janë gjallë dhe 8 janë vrarë nga Hamasi.”, - deklaroi zëdhënësi i qeverisë izraelite, David Manser.

Ndërkohë, BE-ja njoftoi se po rifillon misionin e saj për të monitoruar pikën kufitare midis Rripit të Gazës dhe Egjiptit.

“Palestinezët po kthehen në veri të Gazës dhe armëpushimi është i brishtë, por i qëndrueshëm. Dhe ne mbështesim zbatimin e tij, duke përfshirë rishpërndarjen e misionit tonë të monitorimit civil në Rafah.”, - theksoi shefja e Politikës së Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së, Kaja Kallas. 

Viktima dhe disa të plagosur, në ditën e dytë të protestave në Libanin jugor. Të zhvendosurit nga lufta 14-mujore mes Izraelit dhe Hezbollahut janë përpjekur të kthehen në fshatrat ku ushtarët izraelitë janë ende të pranishëm. Hezbollahu akuzoi Izraelin për shkeljen e armëpushimit për 1.350 herë.

"Në disa faza nuk do të fshihem nga ju, ne po mendonim t'i përgjigjemi sulmeve. Megjithatë, na u tha se nëse përgjigjemi, atëherë shkeljet nga Izraeli do të balancojnë shkeljet.”, - u shpreh sekretari i përgjithshëm i Hezbollahut, Naim Qasem.

Kohë më parë, Shtetet e Bashkuara dhe Libani njoftuan se afati për përmbushjen e kushteve për një armëpushim midis Izraelit dhe Hezbollahut është shtyrë deri më 18 shkurt. (Flutura Latifi, TVM2)