Tetovë, ndryshimi i emrave të rrugëve, Kasami: Procesi do të jetë pa imponime

28.01.2025 14:57

Emërtimi i rrugëve është bërë “mollë sherri”...

Emërtimi i rrugëve është bërë “mollë sherri” mes kreut të komunës së Tetovës, Bilall Kasamit, dhe opozitës maqedonase, por nuk kanë munguar reagime edhe nga Qeveria.

Kreu  i Tetovës, Bilall Kasami, tha se emërtimi i rrugëve të Tetovës do të bëhet me konsensus të gjerë, si dhe me pëlqim nga anëtarët e komisioneve që të mos dëmtohet aspak interesi i qytetarëve.

Ai më tej ka shtuar se çdo gjë shkon në bazë të Ligjit dhe kjo punë që nuk është kryer për tash e tridhjetë vite, do të merr epilog këtë herë.

“Maqedonia e Veriut duhet të ketë emërtim evropian dhe nëse duam ta kemi një orientim evropian, të identifikohemi. Ka shumë përcaktime ideologjike të kohës që edhe pse duken maqedonase nuk kanë të bëjnë asgjë me maqedonasen dhe këtë orientim, dhe unë besoj se vetë maqedonasit që janë pjesë e komisionit do të kërkojnë t’i ndryshojnë. Pjesa shqiptare e komisionit në asnjë moment nuk do të imponojë emra të cilat kanë të bëjnë me komunitetin maqedonas, ne kemi treguar shenjë vullneti që në këtë proces të ketë edhe emra të komuniteteve të tjera të vogla, turq, romë e komunitete tjera. Nuk bëhet fjalë këtu as për imponim e asgjë, por për një proces të emërtimit të rrugëve që do të reflektojnë realitetin momental të sodit dhe atë orientim që e kemi në të ardhmen.”, - deklaroi kryetari i komunës së Tetovës, Bilall Kasami.

Mickoski: Gjithçka me kompromis mes koalicionit

Edhe kryeministri Hristijan Mickovski tha se ka një marrëveshje në këtë drejtim, që sipas tij nënkupton emërtimin e rrugëve që janë pa numër dhe rrugëve që kanë vetëm numër.

“Nuk mund të ketë ndryshim të emrave të rrugëve pa konsensus, varet nga vendimi i Qeverisë. Nëse merret një vendim i njëanshëm, unë si kryeministër nuk do ta shqyrtoj një çështje të tillë. Ka marrëveshje mes koalicionit, që të gjitha ato rrugë që janë pa numër ose me numër t'u vihen emra, ndërsa ato rrugë që tashmë kanë emra të mos ndërrohen, kjo është marrëveshja e koalicionit. Emrat që do të propozohen për ato rrugë që janë me numër apo pa numër duhet të pranohen dhe të ketë një kompromis koalicioni.”, - theksoi kryeministri, Hristijan Mickoski.

Në Tetovë ka gjithsej 297 rrugë nga të cilat 216 janë pa emra dhe rrugë pa numër. (Visar Sadiku, TVM2)