Maqedoni

“Eko Vetëdija”, rritet bashkëpunimi për vetëdije ekologjike

28.01.2025 15:13

Organizata “Eko Vetëdija” ka promovuar projektin për aksion klimatik, e cila ka të bëjë me ngritjen e vetëdijes së përgjithshme për pasojat...

Organizata “Eko Vetëdija” ka promovuar projektin për aksion klimatik, e cila ka të bëjë me ngritjen e vetëdijes së përgjithshme për pasojat, por edhe përparësitë të cilat i sjellë ambienti. Kjo organizatë ka zgjeruar fushëveprimin e saj, duke ndërtuar një rrjet të gjerë me inkuadrimin e shumë organizatave të tjera lokale, të cilat secila në rrethinën e saj mund dhe duhet të veprojë. Sipas Zharko Koneskit, nga Organizata “Eko Vetëdija” angazhimet janë ndarë me qëllim, që secila organizatë lokale i ka të njohura problematikat me të cilat përballen banorët e atij rrethi. 
 
“Jemi duke punuar me organizata lokale, të cilat i kuptojnë problemet lokale dhe kanë kapacitet për t’i mobilizuar qytetarët, por më kryesorja, dinë të sjellin zgjidhje për ndryshimet klimatike dhe sfidat me të cilat përballet ambienti. Të gjitha idetë që do të na vijnë nga ky bashkëpunim do të prezantohen dhe do të realizohet plan aksional për realizimin e tyre.”, - deklaroi Zharko Koneski nga “Eko Vetëdija”.
 
Përmes Organizatës “Eko Vetëdija” dhe Qeveria e Suedisë, organizata të ndryshme në disa komuna të vendit kanë realizuar aksione lokale klimatike dhe të njëjtat do të vazhdojnë të financohen. 
 
“Kemi punuar në projekte që përfshijnë përdorimin e burimeve të rinovueshme të energjisë, siç janë vendosja e foto-voltaikëve në komunën e gjelbër të Belicës ose vendosja e foto-voltaikëve solar në Strumicë, pastaj edhe për prodhimet bujqësore në Delçevë, pastaj zgjidhje për transport më të qëndrueshëm urban, pastaj projekte të cilat ofrojnë zgjidhje për varësinë e energjisë elektrike. Prandaj këshillat tona janë se pushteti lokal duhet t’i shohë organizatat si partnerë të besueshëm.”, - theksoi Zharko Koneski nga “Eko Vetëdija”.
 
Sipas Koneskit, problemet në qytetet më të mëdha janë shumë më të theksuara, ndërsa në qendrat më të vogla urbane, zgjidhjet janë më të lehta. Sipas kësaj organizate, projekte janë realizuar në të gjithë komunat e Shkupit, por edhe në komunat e Gostivarit, Dibrës, Manastirit, Shtipit. 
 
FITIM KRYEZIU