Ekonomi
Çmimet e larta në treg, paralajmërohet bojkot ndaj marketeve
28.01.2025 15:57
“Ndaloni çmimet e larta të ushqimeve në tregje!”...

“Ndaloni çmimet e larta të ushqimeve në tregje!”, “Ndaloni fitimet e mëdha të individëve në kurrizin e njerëzve!”. Përmes këtyre thirrjeve qytetarët po organizohen nëpër rrjete sociale për një bojkot të marketeve dhe tregjeve me pakicë, të premten. Qytetarët shprehen se duhet mbështetur bojkoti për të shprehur revoltën ndaj çmimeve të larta, por ka edhe të tillë që mendojnë që një gjë e tillë nuk do të kishte aspak rezultat.
“Patjetër të bëjmë bojkot. Në markete një litër vaj është 100 denarë, një kilogram tranguj 150 denarë, të gjitha janë shtrenjtuar.”, - tha një qytetar.
“Duhet bojkot, sepse para vitit të ri thanë se do të zbresin çmimet dhe asgjë nuk ndryshoi, çmimet mbetën të njëjta. Nuk bën ashtu!”, - tha një qytetare.
“Po, duhet, të gjitha janë shtrenjtë, duhet ta përkrahim.”, - u shpreh një qytetar.
“Kurrfarë rezultati nuk mund të arrish me atë. Çfarë të mbështesim, vetëm maltretohet populli.”, - u shpreh një qytetar tjetër.
Kryeministri tha se e mirëkupton këtë veprim të qytetarëve, ndërsa paralajmëroi për kontrolle të shtuara ndaj marketeve.
“Unë e kuptoj personalisht këtë veprim të qytetarëve dhe këtu nuk duhet të ketë asnjë dilemë. Që nga fillimi kam folur për sjelljen e disa individëve në këtë sektor, të cilët përpiqen në mënyrë spekulative të gjenerojnë fitime të mëdha. Institucionet, përfshirë Inspektoratin e Tregut, po e monitorojnë situatën dhe po reagojnë në kohë.”, - theksoi kryeministri, Hristijan Mickoski.
Nga Organizata e konsumatorëve vlerësojnë se tregtarët me të vërtetë e kanë tepruar.
“Ata me vetiniciativë dhe fuqinë e tyre nëpër rrjete sociale organizohen dhe ne i mbështesim. Se a do të merret mësimi nga ana e zinxhirëve të mëdha të marketeve, nuk dihet, por këtu më tepër që duhet të bëhet është të shikohet nga ana e Qeverisë, e shohim se në Kroaci, Plenkoviqi e ka mbështetur atë, e shohim atë edhe në Mal të Zi.”, - thonë nga Organizata e konsumatorëve.
Fajin për bojkotin e paralajmëruar, sipas LSDM-së e ka Qeveria. Nga partia në opozitë theksojnë se pamundësia e kryeministrit, Hristijan Mickoski, për t'u përballur me rritjen e çmimeve ka bërë që qytetarët të merren vetë me problemin.
“Në vend që VMRO-DPMNE të pranonte masat tashmë të dëshmuara me të cilat LSDM-ja luftoi goditjet e çmimeve, ata vendosën ta braktisin problemin dhe ta menaxhojnë me shporta false. Rezultatin e shohim sot, e rezultati është që qytetarët janë të varfër, të cilët duhet të zgjedhin se cilat produkte bazë të blejnë.”, theksojnë nga LSDM.
Nga BDI theksojnë se paaftësia e Qeverisë po i detyron qytetarët të marrin fatin në duart e tyre.
“Kjo nismë është shenjë e fundit e një populli të lodhur nga një qeveri arrogante dhe e paaftë, e cila nuk ka ndërmarrë asnjë hap konkret për të mbrojtur qytetarët nga goditjet ekonomike dhe padrejtësitë sociale. Në të kaluarën, Qeveria jonë, edhe pse jo gjithmonë të mjaftueshme, kishin ndërmarrë masa për të zbutur efektet e krizave.”, theksojnë nga BDI.
Përndryshe trendi i bojkotit të marketeve është aktual edhe në vende tjera të rajonit. Në Kroaci, një bojkot i dyqaneve, zinxhirëve të shitjes me pakicë dhe pikave të karburantit u zhvillua më 24 janar. Edhe në Bosnje dhe Hercegovinë po përhapen thirrjet për bojkot, ndërsa iniciativa të tilla ka edhe në Mal të Zi.
ERSAN PAJAZITI