Maqedoni

Mungesa e ilaçeve në Onkologji, LSDM kërkon dorëheqjen e Mizrahit

28.01.2025 16:25

Socialdemokratët kërkojnë nga deputetja e VMRO-DPMNE-së, Rashella Mizrahi, të japë dorëheqje...

Socialdemokratët kërkojnë nga deputetja e VMRO-DPMNE-së, Rashella Mizrahi, të japë dorëheqje për mohimin e ekzistencës së raporteve për punën e Klinikës së Onkologjisë, përderisa krye socialdemokrati, Filipçe, ka menaxhuar dikasterin e shëndetësisë. Zëdhënësja e LSDM-së, Bogdanka Kuzeska, thotë se as komisioni anketues që ngriti Mizrahi nuk dha konkluza konkrete. Ajo njofton se dokumentacioni është dorëzuar në Prokurori për zbardhje, sipas tyre, të gënjeshtrave të VMRO-DPMNE-së.
 
“E vërteta doli në shesh, gënjeshtrat monstruoze u kuptuan. Raportet, të cilat Mizrahi thoshte se mungojnë, ato ekzistojnë. Ato dokumente veç më u janë dorëzuar Prokurorisë dhe presim të jenë lëndë e hetimit të mëtejmë. Presim që hetimi të dëshmojë përse këto dokumente nuk janë dorëzuar tek organet kompetente në momentin kur janë kërkuar dhe përse opinioni u hutua se Filipçe është përgjegjës për rastin.”, - deklaroi zëdhënësja e LSDM-së, Bogdanka Kuzeska.
 
VMRO-DPMNE: Hetuesia të procesuojë rastin
 
Deputetja Rashella Mizrahi thotë se komisioni anketues parlamentar i ngritur për skandalin në Onkologji me fakte dhe dëshmi erdhi në konkluza se Filipçe si ministër nuk ka vepruar në përputhje me Ligjin për furnizime publike dhe mbrojtje shëndetësore. Duke shfajësuar veten nga përgjegjësia, kërkojnë nga organet kompetente të procesuojnë rastin.
 
“Për krimin eventual të konstatuar nga kompetentët, ku janë dorëzuar të gjitha dokumentet, nuk gjykon Rashella, parlamenti e as ekzekutivi, por gjykata. Kjo Qeveri nuk luan lojëra politike dhe të biznesit. Lojëra nuk ka, por përgjigje duhet të ketë. Lëndët janë tek kompetentët dhe kërkoj që sa më shpejtë të dilet me qëndrim.”, - theksoi deputetja e VMRO – DPMNE-së, Rashella Mizrahi.
 
Aktualisht në Klinikën e Onkologjisë deri në 60 pacientë presin terapinë e nevojshme. Por, sipas autoriteteve të klinikës po bëhen përpjekje që deri nesër të sigurohen ilaçet. Ministri Taravari është shprehur se terapia do të sigurohet deri në fund të javës.
 
MERAL ISMAILI