Botë

Pas valës së protestave, kryeministri i Serbisë dha dorëheqje

28.01.2025 17:05

Kryeministri i Serbisë, Milosh Vuçeviq, njoftoi në një adresim të jashtëzakonshëm se jep dorëheqje nga ky funksion....

Kryeministri i Serbisë, Milosh Vuçeviq, njoftoi në një adresim të jashtëzakonshëm se jep dorëheqje nga ky funksion. Ai paralajmëroi gjithashtu dorëheqjen e kryetarit të Novi Sadit, Milan Gjuriq. 
 
Vuçeviq deklaroi se jep dorëheqje të parevokueshme pas ngjarjeve të mbrëmshme në Novi Sad, kur anëtarët e SNS-së sulmuan studentët. Tre muaj pas tragjedisë në stacionin hekurudhor në Novi Sad, ku humbën jetën 15 persona, kryeministri serb, Milosh Vuçeviq, dha dorëheqje. Vendimi pasoi dhunën ndaj studentëve në Novi Sad, të cilët mbrëmë u sulmuan, ndërsa po ngjitnin stikere në shenjë proteste.
 
"Herët në mëngjes, pasi mësova se një studente e re ishte lënduar rëndë gjatë sulmit, vendosa të jap dorëheqje të parevokueshme. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e pranoi këtë vendim,", deklaroi Vuçeviqi.
 
"Partia që drejtoj, e cila ka fituar zgjedhjet së bashku me presidentin e Republikës që nga viti 2012, duhet të tregojë nivelin më të lartë të përgjegjësisë, duhet të sjellë dhe të tregojë norma të reja në politikën serbe, duhet të tregojë se është më e përgjegjshme dhe për këtë arsye, pas këtyre ngjarjeve në Novi Sad, vendimi im i parevokueshëm është të jap dorëheqje nga posti i kryeministrit.", tha Vuçeviqi.
 
Ai njoftoi edhe dorëheqjen e kryetarit të Novi Sadit, Milan Gjuriq, një nga kërkesat kryesore pas tragjedisë në atë qytet.