Putini refuzon bisedimet me Zelenskin, reagon Kievi

29.01.2025 11:37

Presidenti ukrainas, Volodimir Zelenski...

Presidenti ukrainas, Volodimir Zelenski, ka reaguar pas deklaratave të një dite më parë të kreut të Kremlinit, Vladimir Putin, i cili tha se Rusia është e gatshme të negociojë me Ukrainën, por sipas tij nuk ka ndonjë 'dëshirë' nga pala ukrainase për të zgjidhur çështjet ligjore.

Putini të martën përjashtoi mundësinë që të fliste drejtpërdrejt me Zelenskin, të cilin ai e quajti "të paligjshëm" për të udhëhequr bisedimet.

"Ju mund të negocioni me këdo, por për shkak se ai është i paligjshëm, ai nuk ka të drejtë të nënshkruajë asgjë. Por, nëse ai dëshiron të marrë pjesë në negociata, unë do të ndaj njerëz të përshtatshëm që do t'i kryejnë këto negociata," u tha Putin gazetarëve rusë.

Ndërkohë dronët ukrainas shënjestruan objektet e naftës dhe energjisë në pjesët perëndimore të Rusisë.

Në rajonin perëndimor të Smolenskut, i cili kufizohet me Bjellorusinë, ka pasur një sulm "masiv" me dron dhe sistemet e mbrojtjes ajrore shkatërruan një dron që kërcënonte një objekt të energjisë bërthamore, tha guvernatori, Vasili Anokhin.

Zelenski tha se projekte të shumta humanitare në Ukrainë i kishin pezulluar operacionet për shkak të ngrirjes së ndihmës së huaj nga Donald Trampi dhe se Kievi do të zëvendësonte fondet aty ku ishte e mundur.

“Ne do të përcaktojmë se cilat prej tyre janë kritike dhe kanë nevojë për zgjidhje tani. Ne do të mbështesim patjetër pikat prioritare, ato që kanë të bëjnë me fëmijët ukrainas, veteranët tanë dhe programet për të mbrojtur infrastrukturën”, - theksoi Zelenski.