Unioni i bashkësive turke në botë do të mbështetë komunën e Tetovës në disa projekte
Unioni i bashkësive turke në botë...

Unioni i bashkësive turke në botë ka qëndruar sot në Tetovë për të treguar edhe një herë mbështetjen e tyre për komunën e Tetovës. Ata premtuan kthimin e projektit për ta ndërtuar Sahat Kullën në Tetovë, ndërtimin e një qendre laboratorike shkencore për nxënës të shkollave të mesme dhe fillore dhe investime në menaxhimin me mbetjet.
Kasami tha se është rikthyer projekti për ndërtimin e Sahat Kullës në Tetovë, por nuk tha afat se kur do të fillojnë punimet, edhe pse projekti është gati.
“Shikoni, bëhet fjalë për një projekt që duhet ta rikthejmë në jetë. Informatat që i kam edhe një herë është se çështja e planifikimit që merr më shumë kohë është zgjidhur. Kemi plan urban për atë pjesë, është edhe projekti dhe më vetë gatishmërinë e kryetarit që të vazhdojë projekti, unë mendoj se jemi shumë afër. Por, duke pasur parasysh se bëhet fjalë për bashkëpunim ndërkombëtar, ndodh që të ketë komplikime dhe nuk mund të jap afat të caktuar.”, - deklaroi kryetari i komunës së Tetovës, Bilall Kasami.
Ndërkaq, kreu i Unionit botëror të komunave turke, tha se bashkëpunimi me komunën e Tetovës është në nivel të duhur tash e tri vite.
“Me zotin Kasami jemi në bashkëpunim tash e tri vite, pra punojmë bashkë, takohemi bashkë dhe me komuna të tjera, por veçanërisht me Maqedoninë kemi pasur edhe më herët bashkëpunim në ruajtjen e trashëgimisë, andaj dhe llogaritemi si vëllazëri e komunave. Jam tejet i kënaqur që marr pjesë këtu në Tetovë, sepse kreu i komunës, Kasami, gjithnjë i jep shumë rëndësi bashkëpunimit mes komunave dhe kjo e rrit vlerën e bashkëpunimit tonë.”, - theksoi kryetari i UBKT-së, Ibrahim Alltaj.
Bashkëpunimi mes komunës së Tetovës dhe Unionit të komunave turke ka ekzistuar edhe në të kaluarën, por me ardhjen në krye të Tetovës të Bilall Kasamit këto bashkëpunime janë forcuar. (Visar Sadiku, TVM2)
