Nikollovski dhe Aliu inspektuan punimet në rrugën Prizren - Tetovë

29.01.2025 14:49

Ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski...

Ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski, dhe zëvendësministrja, Kaltrina Zekolli Shaqiri, me ftesë të Ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, kanë qëndruar për vizitë në Republikën e Kosovës.

Siç bëjnë të ditur nga Ministria e Transportit, në takimin me ministrin Aliu, është biseduar për realizimin e projekteve kapitale që janë me interes të përbashkët për të dyja vendet.

Me këtë rast u inspektuan punimet në aksin rrugorë Prizren-Tetovë në pjesën e Kosovës.

“Në takim u ngrit çështja e lidhjes hekurudhore ndërmjet Shkupit dhe Prishtinës, si dhe ndërtimi i stacionit të përbashkët hekurudhor që do të lehtësonte procedurat kufitare në transportin e mallrave dhe udhëtarëve. Po ashtu në takim u bisedua edhe për lidhjen e mundshme rrugore dhe ndërtimin e aksit rrugorë Tetovë - Prizren, me ndërtimin e një tuneli të përbashkët si pikë kufitare ndërmjet Maqedonisë dhe Kosovës. Të dyja palët ranë dakord për formimin e grupeve punuese që do të shqyrtojnë mundësitë për realizimin e këtij projekti.”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Transportit të RMV-së. 

Me realizimin e projektit për ndërtimin e rrugës Tetovë - Prizren, rruga shkurtohet nga tre orë në 30 minuta. Projekti kap vlerën e 35 milionë eurosh, me gjatësi prej 20.3 kilometra. (Gyltene Sinani, TVM2)