Forumi Rinor – BDI: Stoilkoviqi të dorëhiqet, i kontribuon destabilizimit

29.01.2025 15:10

Forumi Rinor i Bashkimit Demokratik për Integrim...

Forumi Rinor i Bashkimit Demokratik për Integrim kërkon dorëheqjen e ministrit për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive, Ivan Stoilkoviq, dhe distancimin e tij nga veprimet antishqiptare. Sipas BDI-së, me veprimet e tij ai po kontribuon ne destabilizim dhe përçarje.

“Ky njeri nuk është ministër i paqes e as i bashkëjetesës. Përkundrazi, ai është një vegël e projekteve destabilizuese, që duan të rikthejnë frikën dhe përçarjen në Ballkan. A është kjo fytyra e Qeverisë që u premtoi qytetarëve barazi dhe integrim euroatlantik? Si mund të heshtet kur një njeri që duhet të mbrojë Marrëveshjen e Ohrit, të shpërblehet për glorifikimin e atyre që masakruan popullsinë shqiptare gjatë viteve 1912-1918?! Sikur kjo të mos mjaftonte vazhdojmë me përqafimet me Millorad Dodikun, liderin e projektit të ndarjes dhe shkatërrimit të rajonit. Kërkojmë dorëheqjen e menjëhershme të këtij ministri dhe distancimin e qartë të Qeverisë nga agjendat antishqiptare dhe antiperëndimore.”, - deklaroi Veton Sadiku nga BDI.

Kasami: Do të diskutojmë në kuadër të Qeverisë

Për qëndrimet dhe veprimet e fundit të zëvendëskryeministrit, Ivan Stoilkoviq, është deklaruar edhe Bilall Kasami nga VLEN-i. Ai tha se nuk është hera e parë që persona të caktuar uzurpojnë institucione të caktuara për të shprehur qëndrime personale. I pyetur nëse do të kërkohet llogari nga ai, Kasami u përgjigj se do të bisedohet në kuadër të Qeverisë.

“Uroj që këto të jenë komente të fundit të ministrit në fjalë, sepse ai duhet të ketë përgjegjësi të pozitës që bartë. Por, duhet të ketë edhe ndjeshmërinë e konceptit multietnik. Ai nuk është ministër vetëm i popullit serb, por është ministër i të gjitha komuniteteve në Maqedoni. Patjetër që ne duhet të ulemi në kuadër të Qeverisë dhe të flasim, sepse nëse fillojmë të flasim me fjalorë të tillë, unë mendoj se është fjalor përçarës dhe nuk ia do të mirën Maqedonisë dhe qytetarëve të saj.”, - theksoi kryetari i komunës së Tetovës, Bilall Kasami.

Ditë më parë Stoilkoviqi ka pranuar dekoratë “Vojvoda Vuk” nga shoqata serbe e vullnetarëve të luftës 1912-1918, ndërsa së fundmi ka pranuar në takim edhe kryetarin e Republika Sërpska, Milorad Dodik, veprime këto që ngjallën reagime të shumta në publik. (Florije Kamberi, TVM2)