Maqedoni

Klinika e Onkologjisë, terapia biologjike do të arrijë me etapa, VMRO – LSDM akuzojnë njëra-tjetrën

29.01.2025 15:19

Një pjesë e terapisë biologjike në Onkologji që ka munguar afër 10 ditëve të fundit do të arrijë gjatë ditës së sotme në Onkologji...

Një pjesë e terapisë biologjike në Onkologji që ka munguar afër 10 ditëve të fundit do të arrijë gjatë ditës së sotme në Onkologji, ndërsa pjesa tjetër deri javën e ardhshme, pasi që furnizuesi i terapisë aktualisht nuk i ka të gjitha sasitë në magazinë. Drejtori i Onkologjisë thotë se pacientët nuk janë lënë pa terapi, por për momentin mungojnë ilaçe për 60 pacientë të sëmurë me kancer.
 
“Janë nënshkruar anekset e marrëveshjeve, disa nga barnat do të arrijnë gjatë ditës së sotme në Klinikë, disa barna të tjera gjatë ditës së nesërme, ndërsa të tjerat deri në fund të javës dhe fillimin e javës së ardhshme. Punojmë bashkë me Fondin e Sigurimit Shëndetësor për të siguruar në procedurë ligjore prokurimin e ilaçeve dhe shpresojmë që e gjitha do të përfundojë në mënyrë të mirë dhe do të kemi në kontinuitet furnizimin e sasive të barnave gjatë javës së ardhshme.”, - deklaroi drejtori i Onkologjisë, Igor Stojkovski.
 
Derisa pacientët onkologjikë presin terapitë e tyre, partitë politike përplasen mes vete se kush është fajtori për rastin në Onkologji. 
 
“Për vite me radhë, shitësi i preferuar i Filipçes dhe LSD-ja kanë krijuar një rreth nga i cili është vështirë të ikësh dhe ka dëmtuar pacientët dhe buxhetin. Tani që Qeveria e VMRO-DPMNE-së ka vendosur t'i japë fund një praktike të tillë që sjell humbje për sistemin, si LSD-ja, ashtu edhe grosistja e tyre e preferuar, kanë sulmuar me të gjitha forcat me shpresën se do të vazhdojnë si më parë. Nuk do të jetë më si më parë, nuk do të ketë përmbysje dhe as fitime shtesë për mafien e vdekjes. FSSh-ja  e  zgjidh problemin që LSD-ja la për përfitime individësh. Prokurori publik nuk duhet të jetë vëzhgues memec i situatës, por duhet ta hetojë rastin deri në fund.”, - theksoi Toni Jarevski nga VMRO-DPMNE.
 
Nga LSDM thonë se raportet gjashtëmujore ekzistonin dhe ishin përgatitur. VMRO-DPMNE dhe Mizrahi me vetëdije manipuluan opinionin duke pretenduar të kundërtën. Derisa Filipçe po e sqaron fotografinë me fakte dhe po ndihmon në hetimin e Onkologjisë, VMRO-DPMNE po bën gjithçka që mundet për të fshehur abuzimin e saj. LSDM pret që Prokuroria të nisë hetime se përse deri më tani janë fshehur këto dokumente. LSDM pret që hetimi i thellë i Onkologjisë të tregojë se kush është saktësisht fajtori dhe të gjithë të përfshirët në skandal të mbajnë përgjegjësi.
 
Nga Fondi për Sigurim Shëndetësor thonë se deri në fund të javës do të shpallet plani vjetor i prokurimit të terapisë. Buxheti i Klinikës së Onkologjisë këtë vit do të jetë i dyfishuar dhe autoritetet shpresojnë që në të ardhmen nuk do të përsëritet kriza për ilaçet e nevojshme.
 
VLORA LATIFI TOPOJANI