Maqedoni
Kredia hungareze për kompanitë, LSDM: Norma finale e interesit kap 5.2%
29.01.2025 15:33
LSDM-ja, me kritikë për vendimin qeveritar të vënies në dispozicion të 250 milionë eurove nga kredia hungareze për kompanitë vendore....

LSDM-ja, me kritikë për vendimin qeveritar të vënies në dispozicion të 250 milionë eurove nga kredia hungareze për kompanitë vendore. Sipas opozitës maqedonase, kreditë e tregut hungarez do t’i kushtojnë afarizmit dhe nuk janë edhe as konkurrente me tregun financiar të brendshëm, ngase bankat vendore japin kredi me interes më të ulët se 5%, thotë Fani Karanfilova Panovska nga LSDM-ja. Ripërsëritin se kredia nuk është e karakterit financiar, por politik dhe si e tillë e bën të varur vendin nga Hungaria, i cili ishte dakordim vetëm mes kryeministrit Mickoski dhe homologut të tij hungarez, Orban, akuzojnë socialdemokratët.
“Dëmet ekonomike nga kjo marrëveshje janë serioze dhe afatgjate. Norma vjetore e interesit prej 3.25% edhe pse në shikim të parë shihet konkurrente, respektivisht ajo që ofrohet si para në rajon për vendet, mund të themi se absolutisht nuk është e saktë dhe e vërtetë. Kamata shtesë e dakorduar për kreditin për kompanitë të shpallur dje prej 1.95% të cilën kompanitë do ta paguajnë ndaj bankave komerciale, praktikisht tregon se kamata efektive për qytetarët dhe kompanitë në fund do të arrijë në 5.2%.”, - theksoi Fani Karanfillova Panovska nga LSDM.
Mickoski: Do ta lëviz ekonominë përpara
Por, kryeministri Mickoski thotë se kredia hungareze dedikuar për kompanitë dhe për investimet kapitale në komuna do ta çojë ekonominë e vendit përpara.
“Pres që të ndihmojë, të krijojë një valë investimesh prej minimum 300 milionë eurove, pastaj projektet në komuna që janë një valë investimi për realizimin e investimeve kapitale prej 250 milionë eurove. Këtu do të shtoja edhe investimet e huaja, që pres prej vitit 2024, me dinamikë të përforcuar të gjysmës së dytë të hedhin 1 miliardë euro, me çka do të jemi më të mirët në rajon për kokë banori dhe për përqindje të Bruto Prodhimit të Brendshëm.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.
Ndryshe, nga kredia hungareze Qeveria ka lëshuar në qarkullim 250 milionë euro për mbështetje ndaj kompanive. Kreditë do të aprovohen nga Banka për Zhvillim me afat kthimi deri në 15 vite me grejs periudhë 3-vjeçare. Kompanitë mund të aplikojnë për kredi deri në 10 milionë euro, gjersa kalkulimet e Qeverisë janë se ky investim do të sigurojë hapjen e mijëra vendeve të reja të punës.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
