Ekonomi
“Bojkoto marketet!”, qytetarët dhe partitë mbështesin këtë nismë
29.01.2025 15:47
“Bojkoto marketet!”, kjo është thirrja e cila po mobilizon qytetarët, me qëllim që data e 31 janarit të jetë dita ku përmes bojkotit...

“Bojkoto marketet!”, kjo është thirrja e cila po mobilizon qytetarët, me qëllim që data e 31 janarit të jetë dita ku përmes bojkotit, qytetarët do ta shprehin revoltën e tyre ndaj çmimeve të larta. Qytetarët e anketuar nga TVM2, kanë pohuar se do ta mbështesin këtë nismë.
“Pa dyshim se po. Besoj se nuk ka njeri që është i kënaqur prej këtyre çmimeve.”, - tha një qytetar.
“Po, sepse është shumë shtrenjtë.”, - tha një qytetare.
“Po, sepse për çdo ditë po rriten çmimet nga 10, 15 apo edhe 20 denarë.”, - u shpreh një qytetar tjetër.
Kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski, ka theksuar se është parashikuar fillimi i kontrolleve rigoroze në tregje dhe objekte tjera komerciale dhe se kjo është dokorduar edhe me ministrin e Ekonomisë dhe Punës, kryetarin e Komisionit për Mbrojtjen e Konkurrencës dhe drejtorin e Inspektoratit Shtetëror të Tregut.
“Kemi rënë dakord për hapat që do të zhvillohen, duke filluar nga sot. Por, në të njëjtën kohë edhe objektet tjera komerciale do t'i nënshtrohen këtij lloj kontrolli, sepse standardi i jetesës së qytetarëve është prioriteti ynë dhe ne si Qeveri do të bëjmë gjithçka për ta mbrojtur atë. Të gjithë duhet ta dinë se ne jemi serioz dhe këtë sulm e kuptojmë si sulm ndaj standardit jetësor të qytetarëve dhe Qeveria ka të drejtë dhe obligim të mbrojë opinionin dhe interesat e qytetarëve.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.
Ndërsa në mbështetje të qytetarëve kanë dalë edhe nga LSDM-ja.
“Bojkoti i qytetarëve ndaj marketeve është sinjal për pakënaqësinë e tyre ndaj politikave të dështuara të kësaj Qeverie në lidhje me standardin jetësor. LSDM-ja i përkrah iniciativat qytetare që të qëndrojnë të vetëm përballë kësaj Qeverie dhe kryeministrit, Mickoski, që nuk ka veshë që t’i dëgjojë brengat e qytetarëve.”, - theksoi nënkryetarja e LSDM-së, Fani Karanfilova Panovska.
Në përkrahje të qytetarëve kanë dalë edhe nga VLEN-i. Lideri i Alterativës në një komunikatë ka pohuar se mbështet bojkotin e qytetarëve.
“Unë, si kryetar i Alternativës dhe pjesë e Qeverisë në koalicionin VLEN, mbështes plotësisht bojkotin e thirrur nga qytetarët. Ne si qeveri VLEN do të angazhohemi në maksimum që të drejtat e qytetarëve të jenë në rrafsh të parë, duke siguruar që ata të kenë mundësinë të shprehin lirshëm pakënaqësitë e tyre dhe të bëjnë zgjedhje të informuara si konsumatorë.”, shkruan kryetari i Alternativës, Zeqirija Ibrahimi.
Në përkrahje të qytetarëve kanë dalë edhe organizata të ndryshme qytetare dhe kjo iniciativë pak a shumë i ngjanë iniciativës, e cila ditë më parë është realizuar në Kroaci.
FITIM KRYEZIU
