Maqedoni
Komisioni për zgjedhje dhe emërime, votohen shtatë anëtarët për në AShMAA
29.01.2025 16:06
Komisioni për zgjedhje dhe emërime në Kuvend votoi listën e anëtarëve të Agjencisë për shërbime mediatike audio dhe audiovizuele...

Komisioni për zgjedhje dhe emërime në Kuvend votoi listën e anëtarëve të Agjencisë për shërbime mediatike audio dhe audiovizuele. Mbështetjen e deputetëve për këshillin kryesor mediatik e morën Viktor Pavllovski, Sasho Stefanovski, Petar Xhurovski, Cvetanka Minova, Afrona Vrzivoli, Nafije Selmani, Gordana Majnova. Këto kandidatë nuk patën mbështetjen e Frontit Evropian, nga ku reaguan ashpër për politizim të mediave. Deputetja e Frontit Evropian, Ilire Dauti, tha se opozita shqiptare nuk do të jetë pjesë e skenarit të shumicës në bashkëpunim me opozitën shqiptare, ndërsa më pas lëshoi mbledhjen bashkë me deputetët tjerë të Frontit Evropian.
“Me gjithë vërejtjet që kemi dhënë si grup parlamentar, por nuk jemi vetëm ne ata që kemi dhënë vërejtje, por kanë dhënë vërejtje edhe vet mediat, kanë qenë shumë publike gjërat që janë thënë për kandidatët që kanë vazhduar të jenë në listë. Sipas nesh, shkeljet veç kanë ndodhur në momentin kur para nesh kemi në listë njerëz që nuk i plotësojnë kushtet e parapara sipas ligjit. Për mos t’u bërë pjesë e gjithë kësaj dhe për të shprehur edhe njëherë kundërshtimin tonë për ndërhyrje të politikës në media, na mbetet që ta lëshojmë këtë seancë në formë proteste, prandaj i bëj thirrje deputetëve të Frontit Evropian ta lëshojmë këtë seancë.”, - deklaroi Ilire Dauti nga Fronti Evropian.
Përndryshe dy kandidatet shqiptare, të kontestuara nga Fronti Evropian, u propozuan nga deputeti i VLEN-it, Rijad Shaqiri, pas dy pauzave me nga 15 minuta, pas konsultimeve shtesë.
“Si propozime tona shkojnë Afrona Vërzivolli dhe Nafije Selmani.”, - theksoi Rijad Shaqiri nga VLEN.
Përndryshe, anëtarët në Agjencinë për Media Audio dhe Audio-Vizuale zgjidhen me shumicë dy të tretash dhe me shumicë sipas parimit të Badenterit në Komision dhe në seancë plenarë të Kuvendit. Pas kalimit të filtrit të Komisionit për zgjedhje dhe emërime, kandidatët duhet të zgjidhen në seancë plenare.
ERSAN PAJAZITI
