Botë
Putini përjashton bisedimet me Zelenskin: Është jolegjitim
29.01.2025 16:33
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka përjashtuar mundësinë e bisedimeve të drejtpërdrejta të paqes me presidentin ukrainas, Volodimir Zelenski....

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka përjashtuar mundësinë e bisedimeve të drejtpërdrejta të paqes me presidentin ukrainas, Volodimir Zelenski. Putini disa herë ka deklaruar se ai nuk e konsideron Zelenskin si udhëheqës legjitim, pasi që mandati pesëvjeçar presidencial i tij është dashur të përfundojë më 20 maj të vitit 2024. Zgjedhjet do të duhej të mbaheshin më 31 mars të vitit të kaluar, por u shtynë pasi shteti ende ka në fuqi gjendjen e luftës, për shkak të pushtimit të nisur nga Moska. Ai shtoi se do të “caktojë njerëz që të marrin pjesë” në negociata nëse Zelenski do të ishte prezent, në vend të mbajtjes së bisedimeve kokë më kokë.
“Nëse ne fillojmë negociatat tani, ato do të jenë të paligjshme, sepse kur kreu aktual i regjimit nënshkroi këtë dekret, ai ishte një president disi legjitim. Por, tani nuk mund ta anulojë, sepse është e paligjshme. Është një mashtrim, një kurth.”, - theksoi presidenti i Rusisë, Vlladimir Putin.
Zelenski: Putini është pengesa për t’i dhënë fund luftimeve
Zelenski, i cili sipas Kushtetutës duhet të vazhdojë të shërbejë derisa të zgjidhet një president i ri, iu përgjigj pretendimit të Putinit, duke thënë se udhëheqësi rus është pengesa për bisedimet për dhënien fund të luftimeve.
“Sot, Putini edhe një herë e konfirmoi se ka frikë nga negociatat, frikë nga udhëheqësit e fuqishëm dhe bën gjithçka që mundet për ta prolonguar luftën. Ne po planifikojmë takime dhe negociata ndërkombëtare për muajin shkurt. Detyrat kryesore janë uniteti ndërmjet partnerëve dhe koordinimi në një drejtim evropian.”, - u shpreh presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski.
Zelenski po kërkon nga Shtetet e Bashkuara që t’i bëjnë presion Moskës për t’i dhënë fund luftës, në mes të intensifikimit të raportimeve për negociata në prapaskenë për zgjidhjen e konfliktit, pasi Donald Trampi mori detyrën e presidentit.
“Nëse nuk arrini marrëveshje shpejt, nuk do të kem zgjidhje tjetër përpos që të vendos tarifa të larta dhe sanksione ndaj çdo gjëje që Rusia shet në ShBA dhe në disa shtete të tjera.”, shkroi Trampi më 22 janar në Truth Social.
BE dhe ShBA bien dakord për t’i bërë presionin maksimal Moskës, tha kryesorja e diplomacisë evropiane, Kaja Kallas, dhe sekretari amerikan i Shtetit, Marko Rubio, në bisedën e tyre të parë telefonike pasi administrata Tramp mori detyrën.
“Ne diskutuam çështje globale ku BE dhe ShBA kanë interesa të përbashkëta, duke përfshirë luftën e Rusisë në Ukrainë, ndikimin keqdashës të Iranit dhe sfidat e paraqitura nga Kina.”, ka postuar Kalasi në rrjetin social X.
Biseda vjen mes shqetësimeve në rritje evropiane për atë që administrata e re, me qasjen e saj "Amerika e para", do të thotë për lidhjet transatlantike në mbrojtje, siguri, ekonomi dhe tregti.
FITORE DEMOLLI
