Botë

Reshje të rrëmbyeshme në Shqipëri, përmbyten mbi 300 banesa në Durrës

30.01.2025 13:17

Shirat e rrëmbyeshëm kanë përmbytur Durrësin

Shirat e rrëmbyeshëm kanë përmbytur Durrësin, ku uji ka hyrë në mbi 300 banesa. 10 familje u evakuuan nga shtëpitë e tyre, pasi uji u kishte përmbytur gjithçka. Banorët e dëmtuar fajësojnë bashkinë dhe tregojnë dëmet për të cilat kërkojnë dëmshpërblim.
 
“Rruga ka vetëm çakëll dhe pak asfalt. Nuk është hera e parë, kemi mbi 10-15 herë që mbytemi, kemi bërë ankesë. E gjithë shtëpia është nën ujë, 1 metër ujë. Asnjë nuk ka ardhur deri tani. Jemi në mëshirë të Zotit.”, - tha një banor i Durrësit.
 
“Më keq nuk ka, kati parë i shtëpisë është nën ujë, divanet, krevatet, minibaret janë dëmtuar, tani e pastrova. Asnjë nuk na ka ardhur. E gjithë lagja është përmbytur. Paguaj katër herë taksa, 52 mijë lekë për ujin. Rruga nuk ka çakëll vetëm asfaltin sipër, është shtruar vetëm për zbukurim.”, - tha një banor tjetër.
 
Autoritetet e emergjencës shkuan në ndihmë të qytetarëve për tërheqjen e ujit, ndërsa bashkia njoftoi ngritjen e grupit për vlerësimin e dëmeve.
 
“Situata është më e qetë, sa i përket motit. Kemi ngritur rreth 10 grupe vlerësimi për dëmet e shkaktuara. Kemi vendosur disa numra kontakti për banorët që kanë nevojë për ndihmë. Do të kemi një përmirësim në vijim.”, - deklaroi nënkryetari i Bashkisë Durrës, Elio Jani. 
 
Aktualisht, situata në akset kryesore të Durrësit është normalizuar, ndërsa ka problematika në Durrësin e Ri, Nishtullë, Shkozet dhe Plazhë.
 
LULJETA NDOKA