Reforma në gjyqësi, Gashi: Nevojiten reforma rrënjësore
Gjyqësorit i nevojiten reforma rrënjësore...

Gjyqësorit i nevojiten reforma rrënjësore dhe thelbësore, por duhet pasur kujdes që ato reforma të jenë gjithëpërfshirëse dhe përmbajtjesore, të cilët do të japin rezultate pozitive.
Kështu u shpreh kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, gjatë takimit me gazetarët.
Ai thotë se në konsultim me ekspertë dhe me përfaqësues të institucioneve të tjera po kërkohen mundësi ligjore për t’i bërë ndryshimet e nevojshme ligjore në gjyqësor, por në asnjë mënyrë nuk dëshirojnë të përshpejtohet me ndonjë zgjidhje ligjore, e cila nuk do të përmirësojë gjendjen aktuale në gjyqësor, e sidomos në Këshillin Gjyqësor.
“Sa i përket reformës në Këshillin Gjyqësor, ne mendojmë është një çështje komplekse dhe është pjesë e një pakoje të një procesi reformues në gjyqësor, andaj sa i përket këtyre reformave ne po mendojmë të jemi më të kujdesshëm të gjejmë një zgjidhje më përmbajtjesore dhe më afatgjate, prandaj dhe jemi në konsultim edhe me ekspertë edhe me gjithë institucionet që kanë të bëjnë me këtë çështje.”, - theksoi kryetari i Kuvendit të RMV-së, Afrim Gashi.
Në pyetjen nëse këto ndryshime ligjore në të ardhmen do t’i mundësojë Kuvendit t’i shkarkojë anëtarët e Këshillit Gjyqësor që ka zgjedhur, Gashi u përgjigj se nuk duhet pritur pakon ligjore për ta shqyrtuar këtë, por pavarësisht kësaj, thekson ai, për shkarkimin e anëtarëve të Këshillit duhet të jenë të kujdesshëm, të saktë dhe korrekt me Kushtetutën dhe ligjet.
Shkarkimi i anëtarëve të Këshilli Gjyqësor u imponua pas votimit të raportit negativ të Kuvendit për punën e Këshillit Gjyqësor, me të cilën u hap çështja e shkarkimit të anëtarëve të këtij Këshilli, të cilët i ka zgjedhur Kuvendi. (Rexhep Qamili, TVM2)
