Kryesimi me Komisionin për Çështje Politike, Gashi pret propozimin nga Fronti Evropian

30.01.2025 15:00

Komisioni për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini...

Komisioni për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini pritet të funksionojë pa probleme pas dorëheqjes së Ilire Dautit. Kryeparlamentari Afrim Gashi tha se do të delegojë deputet për udhëheqjen e seancave të komisionit, në rast se Fronti Evropian nuk propozon kryetar të ri, pasi kjo e drejtë u takon atyre. Gashi deklaron se komisioni nuk mund të bllokohet.

“Komisioni nuk merret për shkak se ka një ndarje xhentëlmene kur është bërë ndarja në fillim. Është caktuar që atë komision ta udhëheqë Fronti Evropian. Ata mund të propozojnë në çdo moment kryetar deri te Komisioni për Zgjedhje dhe Emërime. Nëse nuk propozojnë mbetet e hapur çështja. Por, për mos t’u bllokuar puna, unë në cilësi të kryetarit të Kuvendit vetëm propozoj kryesues të pikave të caktuara të ligjeve të cilat duhet të kalojnë në atë komision.”, - deklaroi kryeparlamentari, Afrim Gashi.

Edhe nga VMRO – DPMNE do të respektojnë të drejtën e Frontit Evropian për të caktuar kryetar të Komisionit për Politikë Sociale.

“Shpresoj që do të mbizotërojë logjika e tyre dhe s’do të punojnë në kundërshtim të interesave të Kuvendit dhe shtetit dhe do të japin propozim adekuat, me qëllim që ai vend të mos mbetet i zbrazët, të kalojë Komisionin për Zgjedhje dhe Emërime dhe Komisioni për Politikë Sociale të vazhdojë punën.”, - theksoi deputeti i VMRO-DPMNE-së, Toni Jarevski.

Zgjedhja e kryetarit të ri të Komisionit për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini do të duhet të bëhet në Komisionin për Zgjedhje dhe Emërime, me një konsensus paraprak.

Kryetari i këtij komisioni, Gjorgjija Sajkovski, edhe zyrtarisht ka kërkuar nga Fronti Evropian emrin e deputetit që do të zëvendësojë Ilire Dautin në Komisionin për Politikë Sociale. Por, nga Fronti ende nuk janë prononcuar për deputetin, që do të kryesonte komisionin. (Meral Ismaili, TVM2)