Të premten do të bojkotohen marketet, qytetarët përkrahin nismën
Qytetarët do të bojkotojnë marketet...

Qytetarët do të bojkotojnë marketet, për shkak të çmimeve tepër të larta të produkteve ushqimore. Kjo nismë u paralajmërua nëpër rrjete sociale me sloganin “Bojkot - Stop çmimeve të larta”, për të shmangur blerjet ditën e premte dhe për të dërguar mesazh deri te autoritetet se qytetarët nuk do t’i tolerojnë këto rritje joreale të çmimeve.
Ata janë të gatshëm që t’i bashkohen kësaj nisme dhe më 31 janar të bojkotojnë blerjen në markete, sepse sipas tyre çmimet e produkteve ushqimore janë joreale dhe të larta.
“Është shumë e arsyeshme dhe duhet të përkrahet ky bojkotim, sepse çmimet janë shumë të larta. (Besoni se me këtë do të arrijmë diçka, do të kemi efekt?) Duhet të arrihet, në qoftë se janë të vetëdijshëm kompanitë.”, - tha një qytetar.
“Sigurisht që po, duhet ta përkrahim se këtë e ka bërë populli. Çmimet janë tepër të larta, nuk munden t’i përballojnë dhe me vend e kanë. Duhet të pajtohemi të gjithë dhe t’i bojkotojmë, të shohim se çfarë do të bëjnë pa popullin, se populli e mban shtetin e shteti nuk bën asgjë për të.”, - tha një qytetar tjetër.
“Normal nëse në përgjithësi e përkrahin, edhe ne e përkrahim atëherë. Me çmimet nuk është në rregull, duhet shteti, tregtarët pak të mendojnë, e shohin se çfarë krize për popullin është në të gjithë botën. (Do të këtë efekt sipas jush kjo nismë?) Nuk ma merr mendja, sepse ajo do të jetë përkohësisht, kohë e shkurtër. Nuk është se po bojkotojnë kohë më të gjatë, e që tregtarët të mendohen më ndryshe pak.”, - tha një qytetar tjetër.
Me bojkotimin e marketeve, qytetarët dëshirojnë të përcjellin mesazh jo vetëm te marketet, por edhe tek autoritetet qeveritare se çmimet e produkteve janë të papërballueshme, thotë profesori universitar Borçe Trenovski.
“Kjo është një lloj sfide dhe porosi që duan ta dërgojnë konsumatorët jo vetëm deri tek tregtarët dhe bizneset, por duan që ta dërgojnë edhe deri tek institucionet dhe Qeveria, deri tek sektori i biznesit, kundrejt masave që duhet ndërmarrë, politikave dhe ligjet që duhet të sillen dhe bizneset, e kështu me radhë. Kështu që janë thirrur bizneset, sepse ata janë fokusi në të gjithë këtë çështje, megjithatë bojkoti vet në vete nuk mund të bëjë ndryshime të mëdha, nëse nuk është i shoqëruar me ndryshime dhe masa sistematike institucionale.”, - theksoi profesori universitar, Borçe Trenovski.
Nga ana tjetër, Oda e Zejtarëve fton qytetarët që të orientohen drejt zejtarëve, shitësve të vegjël apo bizneseve familjare.
“Ky është një hap i vogël, por i rëndësishëm që të tregojmë se ekonomia lokale mund t’i përkrahë qytetarët me çmime të përmirësuara dhe cilësi më të mirë. Apeloj që gjithmonë kur kanë mundësi, jo vetëm gjatë bojkotit, por gjithmonë blerësit të zgjedhin produkte nga zejtarët e vegjël.”, thonë nga Oda e Zejtarëve e Maqedonisë.
Trendi i bojkotit të marketeve filloi duke ndjekur shembullin e vendeve të rajonit si në Kroaci, ku më 24 janar u bojkotuan dyqanet, rrjetet e shitjes me pakicë dhe pikave të karburantit. Në mënyrë masive bojkoti ka vazhduar edhe në Bosnjë dhe Hercegovinë, si dhe në Malin e Zi. (Belinda Koka Ademi, TVM2)
