Maqedoni

Anketë, qytetarët dhanë notë 3 për shërbimet gjyqësore

30.01.2025 15:38

3.1 është nota e përgjithshme që morën institucionet gjyqësore nga anketa...

3.1 është nota e përgjithshme që morën institucionet gjyqësore nga anketa e realizuar për vlerësimin e cilësisë së shërbimeve në gjykata. Anketa është realizuar nga Koalicioni “Të gjithë për gjykim të drejtë”, ndërsa rezultate dëshpëruese janë treguar në luftën kundër korrupsionit.
 
Me këtë rast 9% e qytetarëve janë përgjigjur se u është kërkuar dhe kanë dhënë mito për gjykatësit dhe shërbimet gjyqësore, ndërsa 7% e qytetarëve kanë refuzuar t’i përgjigjen kësaj pyetjeje. 
 
“Qytetarët mesatarisht janë të kënaqur nga cilësia e shërbimeve që i marrin nga ana e gjykatave dhe janë të kënaqur nga raporti i administratorëve dhe gjykatësve. Pakënaqësitë më të mëdha janë sa i përket shpejtësisë së veprimit të gjykatave. Kemi realisht rezultate të këqija që kanë të bëjnë më luftën kundër korrupsionit dhe perceptimin e qytetarëve për korrupsionin në gjyqësor. Duhet të bëhen hulumtime shtesë që të shihet se cila është lidhja mes kënaqësisë nga shërbimet, mosbesimit dhe perceptimit për korrupsion të lartë. Më pak se 1/3 e të anketuarve kanë theksuar se mito u është kërkuar direkt nga gjykatës apo nëpunës i gjykatës.”, - deklaroi Darko Avramovski nga Koalicioni "Të gjithë për gjykim të drejtë".
 
Kryetari i Shoqatës së Gjykatësve, Ivan Xholev, vlerësoi se niveli i shërbimeve të institucioneve gjyqësore është i përafërt apo i njëjtë me institucionet e tjera në vend. Niveli i cilësisë së shpërblimeve, sipas Xholevit, është i ngjashëm apo i njëjtë edhe me institucionet gjyqësore në vendet e Bashkimit Evropian.
 
“Ne jemi të kënaqur, sepse bëhet fjalë për rezultate që janë në suaza të mesatares së vendeve anëtare të BE-së. Është mirë që në ngjarjen e sotme u bë analizë për anketën paraprake të IRI-it, doli që besimi nuk është 2%, por më i madh, mos të them deri më shumë se 20%. Në periudhën e ardhshme është mirë që të tri pushtetet të bëjmë analiza të thella të këtyre anketave dhe bashkërisht të dakordohemi për reforma në sistemin gjyqësor.”, - theksoi kryetari i Shoqatës së Gjykatësve, Ivan Xholev. 
 
Për ministrin e Drejtësisë, Igor Filkov, rezultatet e anketës janë dëshpëruese. 
 
“Më në fund jam i lumtur që edhe fusha filloi të merret me numra edhe pse ato numra janë në suaza të pritjeve dhe janë të këqija. Të lëmë kohë që t’i shqyrtojmë dhe analizojmë dhe të shohim se si më tutje. Kjo është dëshpëruese.”, - u shpreh ministri i Drejtësisë, Igor Filkov.
 
Anketa është realizuar në dhjetor të vitit 2024, ku janë përgjigjur 1.100 të anketuar. Pjesë e anketës nuk kanë qenë qytetarë të rëndomë, por mendime nga përvoja personale nga palë që kanë kërkuar shërbime administrative, avokatë, të akuzuar, dëshmitarë dhe gazetarë.
 
FLORIJE KAMBERI