Maqedoni
Seanca për pyetje deputetësh, Pasholli, Taravarit: Keni shkelur premtimet
30.01.2025 15:57
Deputetja e BDI-së, Arbana Pasholli, pyet kreun e ASh-së, Arben Taravari...

Deputetja e BDI-së, Arbana Pasholli, pyet kreun e ASh-së, Arben Taravari, për deklaratat e tij dhënë mediave vendore mbi tërheqjen e 20%-shit nga akti më i lartë juridik, si dhe për ndryshimet kushtetuese që pengojnë procesin eurointegrues. Në seancën e pyetjeve të deputetëve, Pasholli akuzoi Taravarin për shkelje të premtimeve në bazë të afateve kohore.
“Në intervistë keni thënë se në këtë mandat qeveritar, gjuha shqipe s’do të mbetet më, citoj, “gjuhë e 20%-shit”, por do të jetë e përcaktuar qartë në Kushtetutë si gjuhë zyrtare krahas gjuhës maqedonase. Ju edhe premtuat ndryshime kushtetuese për të hapur rrugën e RMV-së drejt BE-së, por siç duket nga e thëna në të bërë ka një mal të tërë dhe fatkeqësisht keni shkelur edh afatet.”, - deklaroi Arbana Pasholli nga BDI.
Taravari: Po punojmë, 7 muaj jemi në Qeveri!
Ndërkohë Taravari me kundërpërgjigje se VLEN është në Qeveri vetëm 7 muaj dhe për këtë periudhë është angazhuar në drejtim të avancimit shqiptar dhe aspiratave integruese, ndërkaq BDI-ja sipas tij, ka thënë se negociatat do të fillojnë që nga viti 2018 dhe asgjë s’është realizuar.
Thotë se punojnë edhe në rregullimin e statusit të gjuhës shqipe në Kushtetutë. Taravarin e gëzon fakti se kryeministri Mickoski, sipas tij ka qasje dhe orientim evropian.
“Ne mundohemi dhe japim maksimumin tonë. Por, një gjë të jeni i sigurt, nëse keni formulë si mund të bëhen ndryshimet kushtetuese, ua lëshojmë vendin në Qeveri, hyni, nëse jo, rrini në opozitë, reflektoni, reformohuni, dëgjoni. Unë gëzohem shumë se kryeministri është proevropian, ka raporte të mira me BE-në dhe ShBA-në. Unë vazhdoj të mendoj se ASh-ja bashkë me VLEN-in do të mundohet së bashku me këtë Qeveri t’i fillojë negociatat dhe ta tërheqë 20%-shin prej Kushtetutës, gjithnjë në koordinim me partnerin kryesor në Qeverinë aktuale.”, - theksoi Arben Taravari nga ASh.
Spasovski: Ministrat të vijnë në seanca
Nga LSDM-ja kërkuan nga ekzekutivi që të jenë më të pranishëm në seanca të tilla, të parashtrohen pyetje tek të gjitha udhëheqësit e dikasterëve.
“Duhet të sigurohet pjesëmarrja e të gjithë ministrave, në mënyrë që të mund të parashtrohen të gjitha pyetjet, sepse kjo nuk është seancë e pyetjeve të deputetëve për kryeministrin, por për tërë Qeverinë.”, - u shpreh Oliver Spasovski nga LSDM.
Në seancën e pyetjeve të deputetëve, mes tjerash u ngrit debat edhe për Rregulloren e Kuvendit, për çka deputeti i BDI-së, Blerim Bexheti, akuzoi se ai me grupin e tij parlamentar nuk kanë pranuar rregullore origjinale. Kryeparlamentari Afrim Gashi, me sqarim se Kuvendi ka Rregullore zyrtare, ndërkaq doracaku me të cilën punojnë është në proces të përgatitjes dhe printimit.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
