Maqedoni

Aksident trafiku, humbi jetën një 22-vjeçare, shoferit i hiqet liria

30.01.2025 16:16

Gjurmët ende janë të dukshme nga aksidenti, i cili ndodhi në Bulevardin “Aradhat Partizane”...

Gjurmët ende janë të dukshme nga aksidenti, i cili ndodhi në Bulevardin “Aradhat Partizane” mbrëmjen e së mërkurës, ku humbi jetën 22-vjeçarja nga Shkupi, e cila u përplas nga një makinë që drejtohej nga një i ri 20-vjeçar. Sipas informacioneve zyrtare, aksidenti ka ndodhur në orën 23:43, kur automjeti Pezho 207 me targa të Shkupit, goditi këmbësoren.
 
Sipas njoftimit të Ministrisë për Punë të Brendshme, prokurori publik ka bërë hetime, janë kërkuar pamjet video-vëzhguese, është urdhëruar kryerja e obduksionit të trupit të viktimës, si dhe ekzaminimi i gjakut dhe urinës së shoferit 20-vjeçar.
 
“Nga plagët e marra, F.K. ka vdekur në vendngjarje, ndërsa vdekjen e ka konfirmuar një mjek nga Shërbimi i Ndihmës Mjekësore Emergjente. Pas ngjarjes tragjike, një ekip nga Sektori i Punëve të Brendshme të Shkupit dhe një prokuror publik kryen hetime dhe lëshuan një urdhër që trupi të dorëzohej për obduksion.”, thuhet në kumtesën e MPB-së.
 
Procedurat hetimore dhe masat ligjore do të vazhdojnë, ndërkohë 20-vjeçari V.J. është privuar nga liria menjëherë. Autoritetet kompetente njoftojnë se pas dokumentimit të plotë të rastit do të ngrihet padi penale për të.
 
Ky rast tragjik e thekson edhe njëherë nevojën për kujdes të shtuar në trafikun rrugor, veçanërisht gjatë orëve të natës. Autoritetet bëjnë thirrje për të gjithë shoferët që të respektojnë shpejtësinë e lejuar dhe rregullat e trafikut, në mënyrë që të parandalohen ngjarje të tilla të dhimbshme.
 
Tre vjet më parë, më 20 janar 2022, në të njëjtin bulevard humbi jetën një vajzë 24-vjeçare nga Radovishi, ndërsa një djalë që ishte me të u plagos, kur një automjet i përplasi ata derisa po kalonin në kalimin e këmbësorëve pranë qendrës tregtare “City Mall”.
 
ARMEND MURSELI