Botë

Osmani: Kosova e përgatitur për sfidat e sigurisë

30.01.2025 16:38

Presidentja Vjosa Osmani ka bërë thirrje për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të Republikës së Kosovës...

Presidentja Vjosa Osmani ka bërë thirrje për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të Republikës së Kosovës, ndërsa ka vlerësuar se sulmet hibride përbëjnë sfida reale për stabilitetin kombëtar. Një shtet është po aq i sigurt sa janë të forta edhe hallkat e tij të sigurisë, vlerëson presidentja, Osmani.
 
“Në një kohë kur kërcënimet ndaj sigurisë janë më komplekse se kurrë, nga luftërat konvencionale, te luftërat hibride dhe sfidat kibernetike, Kosova duhet të jetë e gatshme për sfidat me të cilat ballafaqohemi sot dhe për ato të së ardhmes. Na duhet një arkitekturë sigurie që është inovative, fleksibile dhe e përgatitur për t’u përballur me secilin skenar. Në këtë linjë forcimi i kapaciteteve tona mbrojtëse, si dhe integrimi në NATO janë të ndërlidhura fuqishëm njëra me tjetrën. Zhvillimi i FSK-së, sipas standardeve më të larta të NATO-s, mbetet prioriteti ynë strategjik e kombëtar.”, - deklaroi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. 
 
Kurti: Kosova çështjet e sigurisë i koordinon me NATO-n
                         
Viteve të fundit janë bërë hapa të rëndësishëm për forcimin e qëndrueshmërisë kombëtare, ka thënë me këtë rast kryeministri, Albin Kurti, sipas të cilit qëndrueshmëria është aftësia për të parashikuar, përballuar e rimëkëmbur nga çdo goditje, qofshin ato fatkeqësi natyrore, akte të qëllimshme kundër infrastrukturës kritike apo sfida të tjera që vënë në rrezik qytetarët e Republikës dhe sovranitetin e shtetit.                   
 
“Republika e Kosovës vazhdon që të gjitha përpjekjet e saj t’i bashkërendojë, e t’i bëjë këmbëngulëse në drejtim të anëtarësimit në NATO. E në këtë drejtim qëndrueshmëria, siç përkufizohet edhe nga NATO-ja është aftësia për t’u përgatitur për të rezistuar, për të reaguar e për t’u rimëkëmbur shpejt nga goditjet dhe ndërprerjet.”, - theksoi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. 
 
Këto komente, Osmani dhe Kurti i bënë në konferencën me temë “Qëndrueshmëria Kombëtare – Sfidat dhe Rruga Përpara”, të organizuar nga Ministria kosovare e Mbrojtjes.
 
GYLTENE SINANI