Botë
ShBA: Përplaset një avion me helikopter ushtarak, Kremlini konfirmon vdekjen e qytetarëve rusë
30.01.2025 17:01
Një aeroplan me 64 pasagjerë dhe anëtarë të ekuipazhit është rrëzuar në lumin Potomac...

Një aeroplan me 64 pasagjerë dhe anëtarë të ekuipazhit është rrëzuar në lumin Potomac në zonën Uashington DC, pasi u përplas në ajër me një helikopter të ushtrisë amerikane.
Mbi 30 trupa janë nxjerrë nga lumi, ndërsa ekipet e shpëtimit kanë punuar gjatë natës për të pastruar ujërat në temperatura të ulëta. Aeroporti Kombëtar i Uashingtonit, Ronald Regan, është mbyllur përkohësisht pasi autoritetet hetojnë se çfarë ka ndodhur.
“Po lutem që dikush ta nxjerrë gruan time nga uji teksa flasim. Më shkroi se do të zbarkonte për 20 minuta. Mesazhin e fundit nuk e pranoi. Aty kuptova se ndoshta diçka po ndodhte.”, - tha bashkëshorti i një pasagjereje, Hamad Raza.
"Unë isha vetëm me të dashurën time në park, pranë Aeroportit Kombëtar “Regan”. Ishim duke darkuar dhe po shijonim pamjen e bukur kur vumë re se avionët po bënin lëvizje të çrregullta dhe më pas pamë vezullime të bardha. Ne menduam se ata po gjuanin yje derisa pamë kamionët e zjarrfikësve dhe makinat e policisë.”, - theksoi dëshmitari i ngjarjes, Xhimi Mazeo.
Pas aksidentit, autoritetet vijuan operacionin e kërkim-shpëtimit.
“Ky është një operacion shumë kompleks. Kushtet janë jashtëzakonisht të vështira për ata që janë në terren. Është ftohtë. Fryn erë e fortë mbi lum.”, - u shpreh Xhon Donelli nga Departamenti i Zjarrfikësve.
"Ne jemi duke punuar në mënyrë aktive me autoritetet lokale, shtetërore, federale dhe ekipet e reagimit ndaj emergjencave. Ekipi i kujdesit të “American Airlines” është aktivizuar për të ndihmuar pasagjerët tanë dhe familjet e tyre.”, - theksoi Robert Isom nga “American Airlines”.
Sipas të dhënave, në avion ka pasur edhe shtetas rusë. Kremlini shprehu ngushëllime.
“Ne shohim që këto të dhëna trishtuese janë konfirmuar. Sot kemi një lajm të keq nga Uashingtoni. Na vjen keq dhe shprehim ngushëllimet tona për familjet dhe miqtë e bashkëqytetarëve tanë që vdiqën në këtë aksident ajror.”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov.
Presidenti Tramp theksoi në rrjetet sociale se aksidenti mund të ishte parandaluar. Ekspertët pyesin se përse helikopteri ushtarak nuk ndoqi udhëzimet në hapësirën ajrore të ngarkuar dhe shumë të kufizuar rreth kryeqytetit amerikan.
FLUTURA LATIFI
