VLEN: Stop fitimit në kurriz të popullit
Nisma qytetare për bojkotimin e marketeve mbështetet...

Nisma qytetare për bojkotimin e marketeve mbështetet edhe nga koalicioni VLEN, nga ku thonë se kuptojnë nevojën e patjetërsueshme të qytetarëve për ta realizuar këtë bojkot.
Sipas tyre, përmes bojkotit alarmohen profiterët në kurriz të popullit se nuk munden të vendosin çmime jashtë çdo logjike ekonomike.
Ne kuptojmë peshën dhe përgjegjësinë tonë si koalicion VLEN, që jemi pjesë e pushtetit dhe kemi përgjegjësi institucionale.
Por, para së gjithash për neve përgjegjësi primare është për të qenë afër qytetarëve dhe për t’i mbështetur në secilën iniciativë që ndërmarrin për të mirën kolektive. Prandaj, sot ministri i Ekonomisë, Besar Durmishi, do të takojë qytetarë të shumtë prej afër për t’i mbështetur në këtë bojkot të domosdoshëm.
Vitet e fundit, thonë nga VLEN, qeveria e mëparshme toleroi tregtarët, të cilët për fitim shtesë përmes rritjes joreale të çmimeve janë pasuruar në mënyrë plotësuese në kurriz të qytetarëve.
“Kjo sjellje duhet të ndalet. E nëse vazhdon kështu, ne kemi mekanizma institucionale si Inspektorati Shtetëror i Tregut, të cilët tashmë janë në terren, kontrollon çmimet e produkteve dhe nëse ka rritje të paarsyeshme enorme të çmimeve dhe prishje të logjikës së tregut, do të përdorim të gjithë mekanizmat që kemi në fuqi dhe do të miratojmë vendime dhe masa për të mbrojtur standardin e qytetarëve.”, thuhet në njoftimin e VLEN-it.
