PThP, paraburgim për Jovanovin, që goditi për vdekje Frosinën
20-vjeçari, Vasil Jovanov, i cili goditi me veturë...

20-vjeçari, Vasil Jovanov, i cili goditi me veturë deri në vdekje Frosina Kullakovën nuk ka pasur patentë shoferi, ka qenë nën ndikimin e alkoolit dhe kishte kaluar në Bulevardin “Aradhat Partiazane” në semafor të kuq.
Gjykata Themelore i përcaktoi 30 ditë paraburgim, ndërsa Prokuroria e Shkupit ka nisur hetim ndaj tij për vepra të rënda kundër sigurisë në komunikacion. Por, ky aksident nuk është i vetëm që ka shkaktuar.
Në nëntor të vitit 2022, ai kishte shkelur edhe një këmbësor, mirëpo ishte dakorduar me të dëmtuarën që të mos ndiqet penalisht.
Përveç kësaj, 20-vjeçari ka qenë i ndjekur edhe për veprën penale për posedim dhe tregti me substanca narkotike, ku Prokuroria e Shkupit kishe kërkuar masën e paraburgimit, e që Gjykata e kishte dërguar në institucion korrektues.
“Gjatë gjithë procedurës, pikërisht me propozimin e prokurorit publik, personi ka qenë në paraburgim dhe me rastin e shqiptimit të aktgjykimit, gjykata ka hequr masën e paraburgimit për qëllime të sigurisë. I pakënaqur me aktgjykimin, duke marrë parasysh sjelljen e mëparshme të kryesit, prokurori publik ka paraqitur ankesë dhe lënda është në procedurë ankimore.”, thonë nga Prokuroria Publike.
Kryeministri, Hristijan Mickoski, dënon ashpër këtë fatkeqësi dhe thotë se e kupton revoltën e qytetarëve. Shpreson se organet e ndjekjes do të punojnë fuqishëm për të siguruar drejtësinë për këtë rast, ku autori i këtij aksidenti tragjik do të marrë dënimin e merituar.
“Për fat të keq, herët shumë herët u shua një jetë e re, për shkak të sjelljeve joadekuate të një jo njeriu nëpër rrugët e kryeqytetit. Por, për mua më me papërgjegjësi është sjellja e politikanëve me politikë nekrofile, të cilët po tentojnë në këtë mënyrë përmes mesazheve cenuese të tërheqin vëmendjen për përfitimin e pikave politike.”, - theksoi kryeministri, Hristijan Mickoski.
Ministri i Drejtësisë, Igor Filkov, paralajmëroi ndryshime rrënjësore të të gjithë sistemit aktual, që të mos përsëriten raste të tilla.
“Ajo që mund të premtoj nga pozicioni im politik dhe misioni im njerëzor është se do të fokusohem për të ndryshuar gjërat rrënjësisht. I gjithë sistemi duhet të ndryshojë nga jashtë dhe nga brenda.”, shkruhet në komunikatën e lëshuar nga Ministria e Drejtësisë.
Kanë reaguar edhe partitë politike. Socialdemokratët dhe VMRO-DPMNE kërkojnë dënim maksimal për 20-vjeçarin, që aksidentoi Frosinën deri në vdekje. LSDM kërkon nga Qeveria dhe MPB-ja të ndërmerren masa urgjente për të rritur sigurinë në komunikacion, ndërsa VMRO-DPMNE premton se askush nuk do të jetë mbi ligjet. (Rexhep Qamili, TVM2)
